Rektori i pezulluar Mynyr Koni i kërkon Presidentit që propozimin e ministres për shkarkim ta shikojë me kujdes dhe me gjakftohtësinë që ata e karakterizon. I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, por edhe në një deklaratë për mediat, Koni u shpreh i gatshëm për një takim me kreun e shtetit, për të sqaruar gjithë situatën.

Mynyr Koni: Zoti Meta është shprehur shumë qartë mbi vështirësitë e ligjit në cënimin e autonomisë universitare, ndërsa zonja Shahini e ka deformuar duke marrë një frazë të shkëputur të Metës për ta atribuar si një justifikim në qëndrimin e saj.

Nëpërmjet kësaj deklarate, dua t’i kërkoj Presidentit të Republikës së Shqipërisë, që me seriozitetin dhe  gjakftohtësinë që e karakterizon, ta shikojë me shumë kujdes këtë rast, jo për Mynyr Konin, por për Universitetin e Tiranës, për vetë rëndësinë, historinë dhe domethënien që ka ai në arsimin e lartë në vend.

Gjithashtu, dua të shpreh gadishmërinë time për çdo sqarim me institucionin e Presidentit në lidhje me këtë çështje kaq delikate dhe të rëndësishme dhe mbetem i gatshëm për të vënë në dispozicion çdo dokument zyrtar që unë disponoj.

/Ora News.tv/