Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj zhvilloi këtë të hënën dëgjesën e dytë publike për çështjen e Teatrit Kombëtar, ku të pranishëm ishin artistë, arkitektë dhe urbanistë.

Veliaj propozoi ngritjen e një përfaqësie artistësh e cila do të ketë tagrin negociues për të diskutuar mbi projektin e ri të Teatrit Kombëtar dhe zhvillimin e zonës përrreth tij.

Veliaj: Kemi një propozim për teatër të ri, së dyti kemi propozim për teatër të ri pa ndërtesë sipër. Një monolit totalisht i veçuar nga ndërtimet e tjera, prona e bashkisë apo prona e privatit. Ky është progres, kemi avancuar nga ideja. Ka një kërkesë tjetër që teatri  gjithashtu  të jetë në territorin e vet të pa cënuar. Gjithë kjo energji e mirë besoj se do të na çojë në një rezultat.

Veliaj bëri një paralelizëm me ndërtimin e Arenës Kombëtare, ku tha se nëse do të kishte një UEFA për teatrot, atëherë nuk do të mund të certifikohej për shkak të standarteve që ofron aktualisht.

Veliaj: Kur ka qenë festivali I fundit ndërkombëtar që është zhvilluar në TK? Kur kanë ardhur aktorët më të mëdhenj në Evropë për të bërë një shfaqje teatrore me standard në TK? Pra pyetja është kjo; është për diskutim nëse do kishte një UEFA për TK do e certifikonte këtë teatër?!

Ashtu si dhe në dëgjesën e mëparshme, edhe këtë herë pati artistë që u shprehën pro ndërtimit të teatrit të ri si dhe të tjerë që mbrojtën tezën e rikosntruksionit.

Artan Imami, i cili foli në emër të artistëve të pavarur u shpreh pro ndërtimit të një teatri të ri, duke mos tjetërsuar pronën rreth tij.

Artan Imami: Shprehim dakordësinë tonë dhe nevojën emergjente për një godine të re të Teatrit Kombëtar. Prona që posedon Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet vetëm dhe vetëm për godinën e re të Teatrit Kombëtar duke mos cenuar tjetërsimin, nënvizoj, duke mos cenuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone apo vendosjen e saj në favor të partnerit privat për zhvillimin e pjesës tjetër të projektit.

Nga ana tjetër, aktori Neritan Liçaj, në emër të aleancës qytetare për mbrojtjen e teatrit tha se nuk do të ketë konsensus me askënd nëse nuk tërhiqet projektligji për shembjen e TK.

Neritan Liçaj: Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë konsensus me askënd për sakohë nuk tërhiqe ai pr/ligj që grabit tokën e TK. Jemi të hapur për ndërtimin e një    godine të re në një vend tjetër publik me para publike.

Pas fjalës së Liçajt, Veliaj tha se ai ishte porositur nga PD në lidhje me deklaratën që bëri.

Erion Veliaj: Para se të fliste Neritani e kisha në celular ekzaktësisht  çfarë do thoshte dhe porosinë që mori nga PD. E kam këtu dhe do ta botoj për transparencë.

Kundër ndërtimit të teatrit të ri është shprehur edhe aktori Bujar Kapexhiu, i cili është pro rikostruksionit.

Bujar Kapexhiu: Teatri rikonstruktohet edhe në mënyrë të shkëlqyer. Pra këto teatro kanë mangësi, me të drejtë i mungojnë sallat e provave, biblioteka, garderoba edhe shumë të tjera. Ne kemi parë shembuj të tjera në botë që ruhen të dy këto dhe ndërtohet një lidhëse në mes.

Përfaqësuesit e shërbimit zjarrëfikës në takim e kanë konsideruar situatën e teatrit të papranueshme për zhvillimin e aktivitetit.

Pas rreth katër orë diskutimesh, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj kërkoi vazhdimin e mëtejshëm të diskutimeve për të gjetur një emërues të përbashkët.

 

/Ora News.tv/