Në gjykimin e Ramadan Mujës dhe ish-zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, u lexuan dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor.

Gjatë kësaj seance u arrit që të lexoheshin dëshmitë e dëshmitarëve Naim Kukaj, Myrvete Qollaku, Basri Begaj, Ekrem Muçaj, Agron Hoxhaj, Besim Morina e Ridvan Hoxha.

Propozimin që këto dëshmi të këtyre dëshmitarëve të mos konsideroheshin si të lexuara por të lexoheshin përsëri e dha prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu.

Megjithëse mbrojtësit e të akuzuarve propozuan që këto dëshmi të konsiderohen si të lexuara, trupi gjykues vendosi që të aprovohej propozimi i prokurores për t’i lexuar një nga një dëshmitë e të gjithë dëshmitareve të cilët kanë dëshmuar në shqyrtimin e kaluar gjyqësor e që janë gjithsej 26.

Ndonëse prokurorja u deklarua për dëgjimin e këtyre deklaratave si duket asaj pas pak kohe i humbi interesimi për të dëgjuar se çfarë kishin thënë ata.

Gjatë seancës, prokurorja Fejzullahu nuk mundi t’i rezistonte gjumit.

Ajo kotej kohë pas kohe deri kur ndihmësi i saj i bëzante.

Në lidhje me leximin e deklaratave të dëshmitarëve palët mbrojtëse deklaruan se kanë vërejtje në dëshmitë e dëshmitarëve Ekrem Muçaj, Agron Hoxhaj si dhe të Ridvan Hoxhës.

Po ashtu gjatë kësaj seance me kërkesën e avokatit Rexhep Hasani, trupi gjykues në krye me gjyqtarin Agim Ademi mori aktvendim që të mos lejojë kamerën e Kallxo.com që t’i filmojë fytyrat e të akuzuarve me arsyetimin se këta persona ende konsiderohen si të pafajshëm deri në momentin e shpalljes së aktgjykimit dhe dëshmohet e kundërta.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 19 mars me ç`rast do të vazhdohet me leximin e deklaratave të dëshmitareve të dhëna në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh me kusht.

Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Rasti i Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit.

Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim. /Kallxo.com/

/Ora News.tv/