Prokurorja e Apelit Korçë në vetting, probleme me pasurinë

Prokurorja e Apelit Korçë në vetting, probleme me pasurinë

Prokurorja e Apelit Korçë, Irma Balli, ka dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për tu përballur me vettingun në një proces të bazuar në kontrollin e pasurisë.

KPK bëri të ditur se raporti i ILDKPI tregon se prokurorja Balli ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë në përputhje me ligjin, ka bërë deklarim të rremë dhe ka fshehur pasurinë.

Irma Balli kishte pasuri familjare me vlerë 17.2 milion lekë në vitin 2003 dhe referuar deklaratës së parë të dorëzuar në IDLKPI, prokurorja dhe bashkëshorti i saj zotërojnë 1/4 e një pikë karburanti dhe një dyqan në qytetin e Korçës me vlerë 10 milion lekë, një apartament prej 6 milion lekësh, një automjet "Benz", ndërkohë që i shoqi ishte aksioner me 25% në një kompani për tregtimin e karburantit.

Drejtuesja e prokurorisë së Apelit të Korçës nuk ka deklaruar një kat të ndërtesës në kërkesën për leje ndërtimi të karburantit dhe për këtë janë ngritur dyshime për ndërhyrje të pajustifikuara në dokumentacionin për ndërtesën.

Lidhur me këtë pretendim, prokurorja tha se praktika e regjistrimit të pronës është bërë nga babai dhe jo nga ajo vetë.

Vendimi për Irma Ballin pritet të jepet me 14 shkurt, ora 09:00.

EMISIONET