Tenderi 30 mln euro, drejtorët e ARRSH dhe OST dy orë në prokurori për "Astirin"

Tenderi 30 mln euro, drejtorët e ARRSH dhe OST dy orë në

Për rreth dy orë, oficerët e policisë gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës  kanë marrë në pyetje kreun e ARRSH-së Afrim Qendro dhe atë të OST-së Klodian Gradeci në lidhje me skandalin e firmës ‘DH Albania’, e cila fitoi dy tendera me vlerë 30 milionë euro, 18 milionë për ndërtimin e lotit të parë te Unaza e Re dhe 12 mln euro të linjës së tensionit 220 kw Burrel-Peshkopi.

Kreu i ARRSH-së, Afrim Qendro dhe ai  i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Klodian Gradeci janë  paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar në lidhje me skandalin e firmës ‘DH Albania’.

Qendro ka  qëndruar në prokurori për rreth dy orë dhe pas daljes  deklaroi se ka ardhur si drejtor i ARRSH-së dhe se ky institucion nuk ka kryer asnjë shkelje.

Afrim Qendro: Erdha si titullar i Autoritetit Rrugor dhe dhashë shpjegimet e duhura për ngjarjen në fjalë. Është një hetim që po kryhet nga organet kompetente dhe po vazhdon punën e saj Prokuroria. Mendoj që ARRSH nuk ka asnjë shkelje.

Në prokurori dëshmoi edhe drejtori i OST-së, Klodian Gradeci, ndërsa një ditë më parë u pyetën pesë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Pas zbulimit të skandalit të parë, ku rezultoi se ‘DH Albania’  e kishte fituar tenderin e Unazës së Re me dokumente të falsifikuara, u anulua edhe tenderi i dytë nga OST.

Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës nisi menjëherë hetimet. Momentalisht për këtë çështje vijon të jetë në kërkim policor administratori i kompanisë “DH-Albania”, Avdjol Dobi.

Dyshimet mbi Dobin bien se ka falsifikuar dhe ka përdorur më pas një vërtetim të lëshuar nga Departamenti i Shtetit të Delaware, ku tregohej se kompania “Dunwell Haberman”, e cila pretendohet se është mëma e firmës shqiptare “DH-Albania”, nuk kishte detyrime financiare në SHBA.

EMISIONET