Nis ballafaqimi i Valdrin Pjetrit me prokurorinë

Prokuroria e Përgjithshme i ka marrë gjurmët e gishtave Valdrin Pjetrit, tashmë i dorëhequr nga detyra e kryetarit të bashkisë së Shkodrës.

 Lajmi konfirmohet për RTV Ora nga burime të grupit të hetimit të cilat thanë se pak orë pas dorëheqjes publike, i zgjedhuri i PS ka dorëzuar shenjat e gishtave në policinë shkencore në prani të oficerëve të Prokurorisë së Përgjithshme. Në deklaratë të prokurorisë thuhet se më 9 gusht 2019,

Valdrin Pjetrit i është kërkuar të depozitojë në mënyrë vullnetare gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore të cilës i zgjedhuri i PS i është përgjigjur pozitivisht.

Ndërkohë në një përgjigje drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, organi qendror i akuzës shpjegon se hetimet kanë nisur më 5 gusht 2019, në zbatim të ligjit “Për dekriminalizimin.”

Një ditë më pas më 6 gusht, hetuesit kanë sekuestruar në KQZ formularin e vetëdeklarimit të dorëzuar nga Valdrin Pjetri.

Më pas Prokurori i Përgjithshëm ka filluar procesin e verifikimit të plotë e të gjithanshëm brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.

Më 6 gusht hetuesit kanë kërkuar të dhëna nga institucionet vendase në Zyrën e Gjendjes Gjyqësore, Policinë e Shtetit, prokuroritë e shkallës së parë, prokuroritë e Apelit dhe Krimet e  Rënda.

Ndërkohë që në datën 6 gusht, përmes ministrisë së drejtësisë janë nisur letërporositë drejtuar Italisë, duke kërkuar vënien në dispozicion e çdo lloji vendimi penal të dhënë nga gjykata, vendim për masa sigurimi personale apo vendime dëbimi, në emër të Valdrin Pjetrit.

Kërkesës së parë drejtuar autoriteteve italiane, prokuroria i ka shtuar në datën 14 gusht, edhe dokumentet e publikuara nga Partia Demokratike në lidhje me dënimin e Valdrin Pjetrit në Itali. Në përgjigjen e saj drejtuar Partisë Demokratike grupi i hetimit thotë se është në pritje të përgjigjeve nga shteti italian.



EMISIONET