Mbyllen intervistat për SPAK, Mara flet për "339", Prençi për dosjen Tahiri: Kam pasur presion

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përmbyllur fazën e intervistimit të prokurorëve që kandidojnë për tu emëruar në SPAK, strukturën e re që do të hetojë zyrtarët e lartë. Mes katër emrave të fundit ishin prokurorët që kanë hetuar Saimir Tahirin, vrasjen e bankierit Artan Santo, vjedhjen e thesarit të Bankës së Shqipërisë apo grupin Habilaj në Vlorë. Prokurorët thanë në KLP se ishin kërcënuar por presionet nuk i kishin ndikuar në punën e tyre.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përmbyllur fazën e intervistimit të prokurorëve kandidatë për emërim në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion që do hetojë zyrtarët e lartë.

Plot 22 prokurorë u pyetën përgjatë disa ditëve radhazi nga komisioni i KLP-së në prani të ekspertëve të huaj.

Kandidatëve iu drejtuan pyetje për dosjet që kanë hetuar, por edhe vizionin që ata kanë për SPAK-un.

Kandidatët e fundit që u intervistuan të premten nga KLP ishin prokurorët Vladimir Mara, Dritan Prençi, Ndini Tavani e Maksim Sota, të cilët kanë hetuar dosjet "339", atë të Saimir Tahirit, por edhe grupe të trafikut të drogës dhe ish-ministra.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara, u pyet për dosjen "339” me 74 persona në hetim, goditjen e grupit të Tepelenës dhe sekuestrim e një sasie të madhe narkotikësh heroine në Kosovë.

Në lidhje me aksionin e vitit 2016 ku u sekuestruan 4 ton drogë në Vlorë, Mara tha se është akuzuar mediatikisht për filmimin e aksionit të policisë edhe pse nuk ka qenë fare prezent.

Prokurori, Dritan Prençi, është pyetur për dosjen "339" për të cilën ka pohuar se është kërcënuar, ndërsa ka dhënë shpjegime dhe për dosjen e ish-ministrit Saimir Tahiri.

Pyetësorit të KLP-së i është përgjigjur dhe prokurori i Tiranës Ndini Tavani, i cili ka qenë pjesë e grupit hetimor që ka ndjekur vrasjen e bankierit Artan Santo.

Gjithashtu prokurori i task-forcës antikorrupsion në prokurorinë e Tiranës, është pyetur edhe në lidhje me hetimet për vjedhjen e degës së thesarit të Bankës së Shqipërisë ku zhdukën pa gjurmë rreth 7 miliardë lekë, çka solli më pas edhe arrestimin e drejtuesve të institucionit.

Pas përfundimit të  intervistave me kandidatët për emërim në SPAK, javën e ardhshme pritet pikëzimi i të gjithë kandidatëve.

Pas kësaj procedure ata duhet të kalojnë edhe procesin e vettingut për të qenë zyrtarisht pjesë e Prokurorisë së Posaçme.

Pjesë nga intervistimi në KLP i katër kandidatëve

I pari para trupës gjykuese ishte Ndini Tavani, i cili mban aktualisht detyrën e Kryetarit të Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe Prokuror në Njësinë AntiKorrupsion në Tiranë.

Ai ka qenë pjesë e grupit hetimor që ka ndjekur vrasjen e bankierit Artan Santo. Konkretisht Prokurori Tavani është marrë me hetimin e veprimtarisë së punës së Bankës Credins ku ishte aksioner Santo si edhe transaksionet që janë bërë nga kjo bankë.Po kështu ai ka qenë prokuror edhe në çështjen e Bankës së Shqipërisë.

Pas tij vijoi Vladimir Mara, i cili prezantoi para KLP aktivitetin e tij profesional nder vite dhe disa nga çështjet më të spikatura që ka patur në hetim: goditje e grupeve kriminale si grupin e Tepelenës, dosja "339" me 74 personat nën hetim, sekuestrim sasie të madhe heroine në Kosovë, bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare në luftën kundër krimit organizuar duke përdorur metodat speciale të hetimit.

Prokurori Mara është pyetur për afatin e zgjatjes se një çështje nga ato që ka hetuar.

Çfarë bëni për të mbajtur mendjen të shëndoshë, duke patur parasysh presionin dhe stresin me punën tuaj?

Mara: Kam paraqitur për vlerësim dosjet që kanë mbaruar dhe secila prej tyre ka specifikën e një dosje të ardhshme të SPAK  dhe aktualisht kam 12 dosje në hetim. Kam hetuar shumë zyrtarë të lartë shtetërore nga ish-ministrat, ish-deputet etj. Me pavarësinë e prokurorëve që buron nga ligji i ri rritet dhe përgjegjësia e tij për punën që bëj.

Mara iu përgjigj Këshillit për rastin e vitit 2016, sekuestrimin e sasisë së madhe prej 4 tone narkotikësh në Vlorë ku është akuzuar mediatikisht për filmimin e aksionit të policisë.

Ai  pohoi se nuk ka qenë fare prezent në vendngjarje dhe ka lajmëruar për dekonspirim, duke kërkuar një hetim për personat që morën pjesë në aksionin e policisë.

Mara: Në këtë rast media ka qenë e përdorur dhe kam kërkuar që Prokuroria e Përgjithshme të bënte një sqarim publik.

Si e keni menaxhuar dhe si ka ndikuar në punën tuaj çdo emërim dhe transferim që keni patur në punën tuaj?

Mara: Në çdo vend që kam punuar kam sjellë ekperiencën time dhe jam përpjekur të bëj më të mirën në respekt të profesionit.

Pas Marës, radha ishte e Dritan Prençit. Prokurori prezantoi 9 vitet e tij në Prokurorinë e Tropojës dhe 5 vite si drejtues e Prokurorisë së Kukësit. Aktualisht është komanduar te Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Prençi: Aktualisht kam mbi 40 çështje në hetim me më shume se 5 gjyqe në ditë. Dënime me burgime të përjetshme për Jaho Mullosmani, dënim me burg për 2 anëtarë të familjes Haklaj. Kurajo dhe vendosmëria kanë karakterizuar punën time pavarësisht egersisë së grupeve kriminale me shtrirje në vende të BE.

Përfaqësoj në gjykatë aktualisht 2 çështje me zyrtare të lartë në hetim, ish-ministrin e Brendshëm dhe ish drejtorin e burgjeve të akuzuar për korrupsion. Besoj se cilësitë e mia dhe eksperienca ime janë ato të duhura për të qenë pjesë e SPAK.

Keni patur një kërcënim real?

Prençi: Po kam patur për shkak të akuzës që ngrita ndaj tij. Unë i rezistova presionit dhe aktualisht përfaqësoj në gjykatë rastin e tij. Nuk do të luhatem në vendimmarrjen time për deri sa veproj konform ligjit.

Me çfarë vështirësish mund të hasë SPAK në hapat e saj të parë?

Prençi: Ndoshta mungesa e BKH, duhen ngritur sa më shpejt strukturat për hetim në mbështetje të punës së prokurorëve.

Këtë të premte u intervistua dhe prokurori Maksim Sota. Ai e nisi detyrën në Prokurorinë e Vlorës nga 2010 dhe drejtues i kësaj prokurorie për disa vite.

Maksim Sota: Kam kërkuar gjithmonë të hetoj dosje të vështira dhe të përdor njohuritë e mia në ngritjen  e akuzës. Kam mbajtur përgjegjësi maksimale për dosjet që kam patur në hetim dhe të cilat kanë përfunduar në gjykatë me vendime të formës së prerë.

Çfarë do të sjellë SPAK për prokurorët që do të jenë pjesë e saj? Fakti që vini nga një prokurori me jurisdiksion të përgjithshëm, mendoni se do të keni të veshtirë të përvetësoni metoda të posaçme të hetimit?

Maksim Sota: I kam përdorur këto metoda, nuk janë të panjohura për mua si në rastin e vjedhjes së BKT në Vlorë.

Keni marrë pjesë në hetime në grup me prokurorë të tjerë?

Maksim Sota: Besoj se kjo mënyrë hetimi do të nxjerrë një rezultat më të vlefshëm nga ana ligjore.

Cila është cilësia juaj më e fortë për t'u zgjedhur prokuror në  SPAK?

Maksim Sota: Vendosmëria, vullneti dhe aftësia ime profesionale për të përballur me dosjet.

Pavarësia e prokurorit është kuptuar dhe zbatuar ashtu siç duhet?

Maksim Sota: Besoj se po, është gjëja më e mirë që i është dhënë prokurorit, duke e ngarkuar atë me përgjegjësi drejtëpërdrejtë.

Cilat do të jenë sfidat më të mëdhaja të SPAK?

Maksim Sota: SPAK do jetë e sukseshme nëse do të ketë motivimin e anëtarëve të kësaj strukture në përballjen me nivelin më të lartë të krimit.

EMISIONET