Komisioni i Ekonomisë  u përfshi nga debatet  ndërsa diskutimet devijuan nga  tema e ditës por pavarësisht kësaj projektligji  për sistemin e taksave u miratua.Opozita vijoi të akuzojë qeverinë se po lejon futjen e parave të krimit në ekonomi, ndërsa projektin e teatrit e cilëson një mundësi për pastrim parash por për kreun e Ekonomisë këto akuza janë të pavërteta.

Projektligji për sistemin e taksave vendore i cili parashikon një sërë lehtësirash për të gjithë ata që duan të investojnë në agroturizëm u miratua vetëm me votat e shumicës parlamentare.

Opozita e mbështeti idenë por thotë se diskutimi bëhet në një situatë jo normale dhe ku sipas saj duhet të merren me pastrimin e parave.

Tabaku: E kemi ngritur shqetësimin së fundi se paratë e krimit dhe të drogës po depërtojnë në ekonomi dhe afera e Teatrit Kombëtar është shembulli më i mirë sesi paratë e krimit dhe të drogës do të pastrohen. Ndërtimi në qytetin e Tiranës ka pasur boom dy vitet e fundit, 231 leje ndërtimi të pashpjegueshme.

Braçe: Gjatë 3 mujorit të parë të vitit në të cilin ndodhemi ka kontribuar me një rritje vetëm 0.17 pikë % në rritjen ekonomike të vendit ndërkohë që aktiviteti i pasurive të paluajtshme praktiklisht në rast se do të ndodhte pikërisht aty do të materalizohej pastrimi i parave të pista. Është rritur në tre muaj me vetëm 0.01 pikë %.

Madje në këtë komision akuzat për pastrimin e parave lidheshin me ndërtimin e godinës së teatrit.

Midis diskutimeve, drafti u miratua nga shumica edhe pse askush prej tyre nuk diskutoi për lehtësirat që krijohen.

Balliu i drejtohet Braçes: Të lidh litarin ai, nuk të lë të lëvizësh. Nuk flet dot për Ministrin. Për kë e ke?

Braçe: Kush është pro, abstenim?

Balliu: Bravo Enver Hoxha, kundër nuk ka, abstenim nuk ka, fiks për partinë që keni. U takon fiks partia që keni, partia e Sulë Bushatit, partia e kryetarit të degës që nuk la njeri në Shkodër pa internuar.Bravo Enver Hoxha!

Projektligji parashikon përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë edhe e investimeve në infrastrukturë të subjekteve që zhvillojnë veprimtari pritëse, të certifikuara si agroturizëm.

/Ora News.tv/