Banorët e Unazës së Re kërkuan për të gjashtën ditë me rradhë që të dëmshpërblehen për investimin e tyre nga qeveria. Protestës së tyre iu bashkuan edhe deputetë të PD-së edhe LSI. Klevis Balliu i PD-së dhe Endrit Brahimllari i LSI-së qëndruan me banorët të cilët u shprehën për ta se nuk janë kundër zgjerimit të rrugëve, por kërkojnë të drejtën, njohjen e pronave si dhe dëmshpërblimin që justifikon investimin e tyre.

Banore: Do deformohet rruga aty, do bëhet rruga e fabrikës. Unë jam në anë. Të më japin një shtëpi e të më futin brenda, se nuk kam ku të vete.

Banorët kanë bllokuar sërish rrugën për kalimin e automjeteve, gjë që shkaktoi edhe tension. Një pankartë e veçantë mbahej në duar nga disa fëmijë, drejtuar kryeministrit Rama. “Zaho, thuaji babit të mos na e prishi shtëpinë”, lexohet në mesazhin e fëmijëve që do tu prishen shtëpitë.

Deputeti i LSI-së Endrit Brahimllari tha se kjo situatë e ka një zgjidhje dhe banorët duhe të vazhdojnë protestat çdo ditë për të arritur atë që është e drejtë.

Brahimllari: Ka një zgjidhje për këta banorë këtu. Ashtu sic ka gjetur një zgjidhje në fillim fare për ndërtesën këtu ku një VKM i ka shpronësuar banorët.

Protesta e banorëve ka nisur që prej ditës së shtunë për të kundërshtuar projektin e Unazës së Madhe që do të shembë 317 banesa e biznese. Ata pretendojnë se po nxirren me pa të drejtë nga banesat e tyre dhe nuk janë lajmëruar.

/Ora News.tv/