Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, edhe pse ishte optimist për hapjen e negociatave për anëtarësim, një sinjal që pritet në qershor të vitit të ardhshëm, pranoi se në praktikë, Serbia dhe Mali i Zi, janë në progres. Ai paralajmëroi mbledhjet e përbashkëta qeveritare me Kosovën dhe Maqedoninë.

Gjatë takimit të tretë sektorial me temë “Impakti i buxhetit të 2018” në politikën e jashtme dhe procesin e integrimit, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, u shpreh optimist për marrjen e një sinjali pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë, në qershor të vitit të ardhshëm.

Bushati: Vendimmarrjen ne e presim në Këshillin e qershorit të vitit që vjen. Fillimisht në nivelin e Ministrave të Jashtëm dhe më pas të kryetarëve të qeverive dhe shteteve anëtare të BE. Në maj do të ketë një Samit të nivelit të lartë për herë të parë për Ballkanin Perëndimor që nga Samiti i Selanikut përgjatë Presidencës bullgare, ku kryetarët e qeverive të vendeve anëtare të BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor do të ulen së bashku për të diskutuar procesin e zgjerimit dhe përshpejtimin e këtij procesi për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë Ministri Bushati, deshi të saktësonte se dy vende të tjera të rajonit që aspirojnë gjithashtu integrimin, Serbia dhe Mali i zi, janë praktikisht disa hapa para Shqipërisë, kur flasim për këtë proces.

Bushati: Ka pasur spekulime politike dhe mediatike në Shqipëri, duke lidhur deklaratat e Presidentit të Komisionit Europian përsa i përket kësaj strategjie vetëm me dy vende, Malin e Zi dhe Serbinë. Është fakt që Serbia dhe Mali i Zi janë më të përparuara në këtë proces nga pikëpamja formale. Mali i Zi ka hapur rreth 24 kapituj, Serbia është në fazat e para të bisedimeve për anëtarësim dhe është krejt e natyrshme për dy vende që janë në pistë të ketë një fokus më të madh.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme foli edhe për takimet e ardhshme te përcaktuara me qeverinë e Kosovës dhe Maqedonisë, takime këto, ku pritet të diskutohen dhe finalizohen disa projekte të përbashkëta.

Bushati: Javës tjetër qeveria shqiptare do të mirëpresë takimin e katërt të përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, fillimisht në Korçë dhe të nesërmen me 28 nëntor në traditën tonë më të mirë në Vlorë. Do të merren disa vendime të rëndësishme, krahas shqyrtimit të progresit por edhe të atyre elementëve që konsiderohen sot e kësaj dite sfida sepse nuk kanë arritur të adresohen si duhet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Me po këtë ritëm në mesin e dhjetorit në Pogradec do të zhvillohet mbledhja e parë e dy qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

/Ora News.tv/