Procedohet drejtori i ALUIZNI-t Elbasan, dha legalizim për një objekt pa dokumentacion

Procedohet drejtori i ALUIZNI-t Elbasan, dha legalizim për një objekt

Policia e Shtetit vijon operacioni kundër informalitetit.

66 shtetas janë proceduar për vepra penale në fushën e krimit ekonomik e financiar dhe krimeve mjedisore. Mes tyre edhe drejtori i ALUIZNI-t në Elbasan për shpërdorim detyre. Sipas policisë ai dyshohet se ka lëshuar një leje legalizimi për një objekt, pa dokumentacionin përkatës.

"13 raste janë evidentuar dhe ndëshkuar në  qarkun Dibër, 9 raste në qarkun Elbasan, 8 raste në qarkun Durrës, 7 raste në qarkun  Gjirokastër, 5 raste në qarkun Korçë,  5 raste në  qarkun Tiranë, 5 raste në qarkun Lezhë, 4 raste në qarkun Shkodër, 3 raste në qarkun Kukës, 3 raste në Qarkun Fier, 2 raste në qarkun Vlorë dhe 2 raste në qarkun Berat", thotë policia.

Policia e Shtetit gjatë këtij operacioni  është përqendruar edhe në zbulimin, dokumentimin dhe procedimin  penal të  çdo zyrtari Bashkie, Tatimesh, IQT, Dogane, Punësimi etj., të cilët me dashje nuk kanë kryer detyrën për kontrollin e territorit, por kanë lejuar informalitetin, ndërtimet pa leje, ushtrimin e aktiviteteve të tregtisë së paligjshme, ushtrimin e aktivitetit tregtar pa kasë fiskale, shmangien doganore në interes të tyre ose të personave të tretë, duke i sjellë dëme të konsiderueshme mjedisit, qytetarëve, bizneseve të ligjshme, nëpërmjet lejimit të konkurrencës së pandershme si dhe i kanë sjellë dëme të konsiderueshme buxhetit të shtetit.

Operacioni kundër informalitetit dhe lirimit të plazheve të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme po vijon në të gjithë vijën bregdetare.

EMISIONET