Pritja e gjatë, italianët kërkojnë që qeveria e re të nisë menjëherë punën

Pritja e gjatë, italianët kërkojnë që qeveria e re

Pritja e gjatë për konfirmimin e kryeministrit duket se ka lodhur popullin italian, që tashmë kërkon vetëm që qeveria të nisë sa më parë punën. Ndërsa Lëvizja 5 Yjet dhe Lidhja kanë propozuar emrin e Xhuzepe Kontes si kandidat për të udhëhequr vendin, presidenti Serxho Matarela ka shfaqur hezitim për të mbështetur emërimin e tij në krye të qeverisë së re.

Italianët vijojnë të presin për të mësuar cili do të jetë kryeministri i tyre i ardhshëm. Lëvizja 5 Yjet dhe Lidhja e ekstremit të djathtë propozuan të hënën emrin e Giuseppe Contes, një profesor jo shumë i njohur i drejtësisë, si udhëheqës të qeverisë radikale italiane. Por në vend të mbështetjes së menjëhershme për zgjedhjen e tyre, presidenti Sergio Mattarella kërkoi më shumë kohë dhe konsultime të tjera, pasi Conte është një rishtar në politikë dhe administrata që ai pritet të drejtojë, ka alarmuar tregjet dhe Bashkimin Europian ende pa u formuar.

Ekspertë dhe njohës të politikës italiane argumentojnë se komentet nga jashtë vendit nuk ndihmojnë në një kohë si kjo, ndërsa Europa do të duhet të pranojë qeverinë e re të Italisë, pavarësisht nëse e pëlqen ose jo. Shumica e italianëve sakaq, shprehen të lodhur nga fjalët e tepërta dhe kërkojnë që qeveria të nisë menjëherë punën. Sipas tyre, vetëm koha do të tregojë nëse lidershipi i ri i vendit do të jetë i mirë ose jo.

Kujtojmë se Matteo Salvini, udhëheqës i Lidhjes dhe Luigi Di Maio, drejtues i 5 Yjeve, arritën një pakt koalicioni për t’i dhënë fund muajve të ngërçit pas zgjedhjeve jo-vendimtare të 4 marsit. Programi i tyre i përbashkët parashikon ndryshime radikale në shpenzime dhe në rolin që Bashkimi Europian ka në vend.

EMISIONET