Princesha heq dorë nga statusi mbretëror për tu martuar me pianistin

Mbesa e madhe e perandorit të Japonisë Akihito, Princesha Mako, ka hequr dorë nga statusi i saj mbretëror për tu martuar me një shok klase në universitet, që e fitoi zemrën e saj me anë të një buzëqeshje të ndritshme dhe me sinqeritetin e tij. 

Mako dhe i fejuari i saj Kei Komuro, të dy 25-vjeç, me anë të një konference për shtyp njoftuan se dashuria e tyre lindi kur princesha u ul pas tij gjatë një takimi në kampus, 5 vite më parë në Universitetin e Katolik Ndërkombëtar të Tokios, ku u diplomuan. 

Por me vendimin që ka marrë ajo duhet  të heqë dorë nga statusi i saj mbretëror pasi Komuro është njeri i thjeshtë dhe i bie pianos. 

“Së pari u tërhoqa nga buzëqeshja e tij e shëndritshme si dielli,”-tha Mako. “Për herë të parë kemi biseduar gjatë këtij aktiviteti për studentët në lidhje me program për studime jashtë vendit dhe më pas filluam që të takoheshim. Me kalimin e kohës mësova se është një punëtor i sinqertë, i fortë dhe me një zemër të madhe.” 

Çifti kanë pasur një marrëdhënie në distancë gjatë studimit jashtë shtetit, Mako në Britani dhe Komuro në SHBA për një vit. Princesha e prezantoi me prindërit e saj Princi Akishino dhe Princesha Kiko dhe ata e kishin pranuar vendimin e saj.  /Oranews.tv/

EMISIONET