Presion mbi May, dorëhiqet ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin

Presion mbi May, dorëhiqet ministrja për Marrëdhëniet me

Konservatorët britanikë po ngrenë dyshime mbi lidershipin e qeverisë. Një tjetër ministre e kabinetit të Tereza Mej ka dhënë dorëheqjen, pasi janë të pakta shpresat që Brexit mund të realizohet siç u premtua tri vite me parë.

Një tjetër figurë e lartë e konservatorëve dha dorëheqjen të mërkurën mbrëma duke shprehur mospajtimin me planin më të ri për Brexit.

Ministrja për marrëdhëniet me parlamentin, Andrea Lidsom, njoftoi se propozimet e kryeministres Tereza Mej nuk përmbushin atë çka votuesit vendosën me referendum tri vite më parë.

Lidsom tha se anëtarët e kabinetit nuk ishin pyetur rreth modifikimeve të fundit, ndërsa ajo vetë nuk mund të dilte përpara deputetëve që të mbronte diçka që s'e besonte.

Stafi i kryeministres Mej shprehu keqardhjen për largimin e zyrtares së lartë, por tregoi vendosmëri për daljen nga Bashkimi Europian.

Dorëheqja e Lidsom erdhi disa orë pasi mbi shefen e qeverisë u rrit presioni që ajo të heqë dorë sa më shpejt nga pushteti ekzekutiv.

Shkak u bë një propozim që kryeministrja Mej bëri dy ditë më parë në parlament, ku ajo hodhi idenë e një referendumi të dytë rreth Brexit dhe një sërë lëshimesh të tjera për të kënaqur opozitën laburiste.

Konservatorët në shumicë i kanë kundërshtuar këto qëndrime.

Mej ka premtuar se do të largohet nga pozicioni i kryeministres nëse parlamenti voton marrëveshjen aktuale në fillimin e qershorit.

Ndër zëvendësuesit e saj pritet të jenë disa figura publike konservatore, mes tyre e sapodorëhequra Lidsom dhe ish-ministri i Jashtëm, Boris Xhonson.

EMISIONET