Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn i ka dërguar Prishtinës zyrtare një mesazh të qartë se strategjia e Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, paraqet një perspektivë edhe për Kosovën. 

Në një intervistë për televizionin informativ serb N1, Hahn nënvizoi se për këtë është e nevojshme vijimësia e bisedimeve dypalëshe me Serbinë.

"Shpresoj që dialogu të rinisë sa më shpejt sepse mendoj se ka një urgjencë. Këtu më duhet të them se strategjia gjithashtu jep një perspektivë për Kosovën. Ndaj edhe populli kosovar duhet të ketë interes në rezultatin pozitiv të këtij dialogu, pasi i shërben jo vetëm Serbisë, por edhe Kosovës.”

Komisioneri për Zgjerim pret që Prishtina e Beogradi të arrijnë një zgjidhje brenda vitit të ardhshëm.

“Qëllimisht nuk kemi propozuar një datë sepse negociatat nuk janë të lehta. Duhet t’u japim palëve të përfshira hapësirën për të gjetur një zgjidhje ligjore të qëndrueshme. Në fund, cilësia e procesit është më e rëndësishme sesa shpejtësia. Por shpresojmë që vitin e ardhshëm të gjejmë zgjidhjen e duhur.”

I pyetur nëse strategjia për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor është produkt i influencës agresive ruse në rajon, Komisioneri për Zgjerim sqaroi se çdo vend që dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian duhet të veprojë në përputhje me politikën e jashtme të unionit.

/Ora News.tv/