Presidenti Trump nënshkruan sanksione të reja ndaj Kinës

Presidenti Trump nënshkruan sanksione të reja ndaj Kinës

Presidenti Donald Trump nënshkroi të enjten një dokument, që i hap rrugën tarifave të reja me vlerën e 60 miliardë dollarëve ndaj importeve kineze, që mund të çojnë në një luftë tregare me Pekinin. Kjo masë kundër Kinës është pjesërisht në përgjigje të vjedhjes dhe transferimit jo të ligjshëm të teknologjisë amerikane tek kompanitë kineze.

"Po ndodh një vjedhje e jashtëzakonshme e pronës intelektuale”, tha Presidenti Trump.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që të zhvillohet tregti reciproke dhe të ketë një marrëveshje për tarifat me Kinën dhe me vende të tjera.

"Në se ata na bëjnë të paguajmë, të njëjtën gjë do bëjmë edhe ne”- komentoi Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë presidencës së tij 14-mujore, Trump e ka vlerësuar shpesh Presidentin kinez Xi Jinping, duke cituar marrëdhëniet e mira që ka me të. Por Trump vazhdimisht është ankuar për deficitin vjetor tregtar të Shteteve të Bashkuara me Kinën, me vlerën e 375 miliardë dollarëve, si arsye për vendosjen e kufizimeve të reja. Ai tha se me rritjen e tarifave tregtare, ai shpreson ta shkurtojë deficitin tregtar me Kinën, me 100 miliardë dollarë në vit.

Pekini thotë se askush nuk i fiton luftërat tregëtare, por nuk po tërhiqet nga kjo sfidë.

"Kina nuk dëshiron luftë tregtare me askënd. Por nëse dikush na detyron të luftojmë, nuk do të frikësohemi e as do të fshihemi. Nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin veprime që dëmtojnë interesat kineze, atëherë Kina do të duhet të ndërmarrë hapa të domosdoshme dhe të nevojshme për t'u përgjigjur dhe mbrojtur interesat tona legjitime", tha Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashme kineze.

Në janar, presidenti Trump vendosi tarifa mbi industrinë e paneleve diellore të dominuar nga kompanitë kineze.

Grupet tregtare që përfaqësojnë gjigandët amerikanë të shitjes me pakicë, si Walmart dhe kompanitë e teknologjisë, përfshirë Apple, paralajmërojnë se tarifat e reja do të rrisnin çmimet për konsumatorët në Shtetet e Bashkuara dhe mund të mos bëjnë sa duhet për të pakësuar deficitin tregtar./VOA

EMISIONET