Presidenti koreano-jugor Moon Jae-in është i gatshëm të takohet me liderin koreano-verior Kim Jong-un, vetëm nën kushtet e duhura. Moon vlerësoi bisedimet e para në dy vite me Penianin si një fillim i mbarë, ndërkohë që deklaroi se hapi i rradhës janë bisedimet për çarmatimin e Veriut.
Presidenti koreano-jugor Moon Jae-in ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me liderin koreano-verior Kim Jong-un.
“Jam i hapur për çfarëdo lloj takimi, përfshi edhe një samit nën kushtet e duhura,” u shpreh Moon gjatë një konference për shtyp, ndërkohë që shtoi se bisedimet nuk do të zhvilloheshin vetëm për hir të uljes në një tryezë të përbashkët me liderin Kim.
Oferta e presidentit vjen vetëm një ditë pasi delegacionet e dy Koreve u takuan për herë të parë në dy vite dhe Veriu pranoi dërgimin e një skuadre përfaqësuese në Olimpiadën Dimërore që Jugu do të mirëpresë muajin e ardhshëm.
“Ky është vetëm fillimi,” u shpreh Moon për bisedimet, duke i vlerësuar si një hap i parë pozitiv.
Megjithatë, presidenti koreano-jugor cilësoi bisedimet për denuklearizimin e Veriut si hapin e rradhës në përpjekjen për të përmirësuar marrëdhënien mes palëve.
Në konferencën e tij, Moon gjithashtu falenderoi presidentin amerikan Donald Trump për bisedimet ndër-koreane.
Ai vlerësoi se kjo arritje mund të jetë falë presionit dhe sanksioneve të iniciuara nga Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që theksoi se Koreja e Jugut nuk ka opinion të kundërt me Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, edhe presidenti Trump i ka dhënë merita vetes për bisedimet historike mes dy Koreve, pavarësisht komenteve të mëhershme të tij se diplomacia nuk do të ishte e frytshme në rastin e Koresë së Veriut.
/Ora News.tv/