Presidenti Meta në Manastir për 110 vjetorin e Alfabetit, shpërndan abetare

Presidenti Meta në Manastir për 110 vjetorin e Alfabetit,

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë sot dhe përshëndeti veprimtaritë përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, me pjesëmarrjen e dhjetra shqiptarëve nga të gjitha trevat, Ministrit të Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi, gjuhëtarëve, politikanëve e filologëve.

Pas vizitës në “Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe” i mikpritur e i shoqëruar nga shumë banorë shqiptarë, Presidenti Meta shpërndau në mënyrë simbolike 110 abetare për fëmijët shqiptarë të Manastirit.

Presidenti i Republikës i uroi mbarë kombit shqiptar gëzuar 110-vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar se rikthehet me shumë emocion në Manastir.

Meta ka vlerësuar Kongresin e Manastirit, duke deklaruar se pa standardizimin e alfabetit tonë të përbashkët, pa bashkimin e të gjithë shqiptarëve rreth këtij alfabeti, do të kishte qenë e vështirë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë katër vite më vonë në Vlorë në 1912-n.

Meta: Me këtë Kongres, me këtë alfabet të standardizuar e të dakortësuar këtu nga figurat më përfaqësuese të kombit tonë nga të gjitha trevat 110 vite më parë, i detyrohemi jo vetëm ekzistencës e Shqipërisë, jo vetëm ekzistencën e shtetit të Kosovës, por edhe faktin se shqiptarët, të cilët në pjesën më të madhe të historisë, për fat të keq, kanë qenë të pushtuar e të shtypur, sot janë një faktor, që po afirmohet kudo si faktor jashtëzakonisht progresist në shërbim të paqes, të stabilitetit dhe integrimit europian dhe euro-atlantik, dhe një rast shumë i mirë është roli i shqiptarëve të Maqedonisë. Rroftë 110-vjetori i Kongresit të Manastirit!Lavdi përjetë delegatëve të këtij Kongresi, të cilët i bënë kombit shqiptar, dhe në radhë të parë fëmijëve shqiptarë, dhuratën më të madhe: alfabetin e gjuhës shqipe!

Kreu i Shtetit foli edhe për Marrëveshjen e Prespës.

Meta: Ne shpresojmë që të përfundojë shumë shpejt edhe çështja e marrëveshjes për emrin e Maqedonisë, e marrëveshjes me Greqinë, dhe Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s dhe së bashku me Shqipërinë të çelin negociatat vitin e ardhshëm për anëtarësim në Bashkimin Europian.

EMISIONET