Presidenti kinez Xi Jinping do të vizitojë Phenianin muajin e ardhshëm me ftesë të udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un për të marrë pjesë në festimet e 70 vjetorit të themelimit të Koresë së Veriut, njoftoi gazeta Straits Times e Singaporit.

Kjo do të jetë vizita e parë e kreut kinez në kryeqytetin e Koresë së Veriut që kur mori pushtetin në vitin 2012 dhe vjen 13 vjet pas vizitës së fundit nga një President kinez, kur paraardhësi i Xi Hu Jintao vizitoi Korenë në 2005, tha të shtunën gazeta.

The Straits Times nuk tha se ku e mori informacionin dhe Ministria e Jashtme kineze nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Festimet e Koresë së Veriut do të mbahen më 9 shtator dhe Straits Times tha se vizita e Xi mund të jetë ende subjekt i ndryshimeve të minutës së fundit.

Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar i Koresë së Veriut dhe Kim e ka vizituar Kinën tre herë deri më tani gjatë këtij viti, ku ka zhvilluar  bisedime me Xi për përmirësimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe reformat ekonomike.

Shtetet e Bashkuara kanë rritur sanksionet ndaj Koresë së Veriut për të bërë presion ndaj Phenianit për të hequr dorë nga programi i tij bërthamor.

Këtë javë, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj firmave kineze për eksportimin e alkoolit dhe produkteve të cigareve në Korenë e Veriut, duke shkelur ato sanksione.

/Ora News.tv/