Presidenti i Kosovës kërkon ekip të përbashkët për bisedimet me Serbinë

Presidenti i Kosovës kërkon ekip të përbashkët për

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten se dialogu mbetet mekanizmi i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve brenda vendit dhe me fqinjët, ndërsa bëri thirrje për krijimin e një ekipi të përbashkët për periudhën e re të bisedimeve me Serbinë.

Ai i bëri këto komente në fjalimin e tij vjetor në parlamentin e Kosovës, në të cilin foli edhe për sfidat tjera siç janë ngritja e ushtrisë së Kosovës, lufta kundër korrupsionit, integrimet evropiane dhe pajtimi ndëretnik në vend. Presidenti Thaçi tha se periudha e re e bisedimeve me Serbinë do të lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe do të përkrahet nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa nënvizoi se kjo periudhë nuk do të jetë aspak e lehtë.

Kam filluar konsultat formale dhe joformale me partitë politike dhe shoqërinë civile, me qëllim që të themelojmë një ekip të dialogut, të unitetit, për të siguruar gjithëpërfshirje në këtë proces. U bëj thirrje të gjithëve që të jemi të bashkuar në këtë proces. Sa herë që jemi bashkuar, Kosova ka fituar dhe qytetarët na kanë mbështetur”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se ky proces do të jetë transparent dhe se çdo marrëveshje e arritur do të ratifikohet në parlament. Ai ngriti sërish çështjen e moszbatimit të detyrimeve ndërkombëtare të cilat i ka marrë përsipër Kosova.

Duhet ta ratifikojmë pa humbur kohë marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ratifikimi i saj i jep fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës. Janë inkurajuese bisedimet e fundit që po zhvillohen në kuadër të institucioneve të Kosovës, ku janë të përfshira qeveria, kuvendi dhe faktorët tjerë, që të gjendet një zgjidhje brenda javëve të ardhshme”, tha presidenti Thaçi.

Ai bëri thirrje për zbatimin edhe të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi që siç tha, Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë janë të zhgënjyer me pa aftësinë e Kosovës për të zbatuar marrëveshjet.

Presidenti Thaçi ngriti edhe çështjen e shndërrimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura duke nënvizuar se institucionet janë duke punuar që kjo çështje të përfundojë brenda vitit të ardhshëm.

Tani më jemi në fazën pothuajse përfundimtare të përpjekjeve tona për të siguruar përkrahjen që procesi i themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Këtë jemi duke e bërë dhe do ta bëjmë në bashkërendim të plotë me NATO-n dhe partnerët tjerë strategjikë”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit janë dhe duhet të mbetën përparësi e punës së institucioneve dhe sipas tij Kosova nuk do të dorëzohet përballë këtyre sfidave. Ai tha se Kosova mbetet udhëheqëse në luftimin e ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit në rajon dhe sipas tij për këtë edhe ka marr mirënjohje nga udhëheqësit ndërkombëtarë.

Fjalimi i presidentit Thaçi, nuk u ndoq nga deputetët e partive opozitare, të cilët thonë se ai nuk është unifikues dhe nuk përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës./VOA/

EMISIONET