Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, dhe presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier kanë theksuar vullnetin për hapjen e një faqeje të re në marrëdhëniet dypalëshe, por pa injoruar problemet e trashëguara nga e kaluara.

Aleksis Tsipras ka nënvizuar nevojën që të lihen pas stereotipat e krijuara për shkak të qëndrimeve të Berlinit gjatë krizës greke dhe të projektojnë një të ardhme partneriteti të barabartë ndërmjet të dy popujve.

“Por kjo nuk do të thotë se duhet të harrojmë apo të fshehim çdo mosmarrëveshje që vjen nga e kaluara e largët”, ka theksuar ndërkaq Tsipras, duke lënë të nënkuptohet kërkesa e Athinës për reparacione lufte nga Gjermania.

“Kjo do të thotë që për mosmarrëveshjet të caktojmë bashkarisht me respekt e vlerësim reciprok kuadrin e zgjidhjes së tyre, gjithmonë mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare”, ka theksuar kryeministri grek.

Përgjigjia nga presidenti gjerman, që ka qenë dhe ministër i jashtëm i vendit të vet, ishte diplomatike:

“Përmendët të kaluarën dhe prandaj duhet t’ju them se stacioni i parë i vizitës time zyrtare, ishte vajtja në memorialin e kampit të përqendrimit në Haidari. Një kam përqendrimi ku u kryen krime mizore. Ajo që bëjmë është të nderojmë ata të vdekur, por kryesisht dhe mbi të gjitha të kërkojmë falje”.

Çështja e reparacioneve gjermane për periudhën e luftës së dytë botërore doli sërish në skenë, në prag të vizitës zyrtare të presidentit Steinmeier në Athinë.

Sipas shtypit gjerman, çështja e reparacioneve do të gjendej shumë lart në axhendën e takimit të presidentit Steinmeier me homologun e tij grek, Prokopis Pavlopoulos.

Por zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, deklaroi në Berlin se kjo çështje është zgjidhur.

“E kemi diskutuar mjaft herë këtë çështje. Qëndrimi ynë është se çështja e reparacioneve gjermane është zgjidhur përfundimisht në pikëpamje politike dhe juridike. Nga ky qëndrim nuk ka ndryshuar asgjë. Përndryshe, nuk ka asnjë lëvizje zyrtare nga qeveria greke”, tha zëdhënësi.

Sipas revistës Der Spiegel, parlamenti grek ka miratuar një raport, sipas të cilit “grekët kërkojnë të marrin shumën e 269,5 miliardë eurove, si dëmshpërblim për periudhën e Luftës së Dytë Botërore”.

/Ora News.tv/