Presidenti filipinas nuk përmbahet, e quan Zotin "budalla"

Presidenti filipinas nuk përmbahet, e quan Zotin "budalla"

Presidenti i Filipineve është vënë sërish në qendër të kritikave pas deklaratës së tij më të fundit se "Zoti është budalla".

Askush nuk mund t’u shpëtojë deklaratave të çuditshme të Rodrigo Dutertes.

Në një fjalim televiziv, 72 vjeçari kritikoi historinë e Adamit dhe të Evës dhe logjikën prapa konceptit të krishterë të mëkatit.

“Adam konsumoi atë mollë… dhe më pas gjithçka lindi. Sa budalla është Zoti? Ky bir kurve është budalla dhe kjo është çështja. Ju krijoni diçka që pretendoni se është e përkryer dhe më pas ndodh diçka që prish kualitetin dhe shkatërron punën tënde. 

Kështu pretendohet se është e kaluara jonë, ju ende nuk keni qenë të lindur por keni një mëkat origjinal diku në fillim. Çfarë lloj religjioni është ky? Nuk mund ta kuptoj”, ka thënë Duterte.

Derisa kisha dhe shumë qytetarë i dënuan deklaratat e tij, zyra e presidentit tha se ai ka shprehur bindjet personale.

Peshkopi lokal katolik Arturo Bastes  e quajti presidentin të  "çmendur", teksa nxiti njerëzit të luteshin që t'i japë fund "thënieve blasfemike dhe tendencave diktatoriale".

Z. Duterte është një kritik i njohur dhe i hapur i Kishës Katolike në një vend ku më shumë se 90% e popullsisë janë të krishterë dhe shumica e tyre janë katolikë.

Por nga Presidenti filipinas pritet gjithçka, pasi është i njohur për deklaratat e tij të ashpra dhe sulmet e pafiltruara ndaj rivalëve të tij. Duterte, në të kaluarën, ka kritikuar edhe Papën.

Komentet e fundit, ai i bëri në Davao, qytetin që ka qeverisur përpara se të kandidonte për president.


EMISIONET