Gjergj Liqejza është vlerësuar me dekoratën e artë të nderit prej presidentit austriak. Vlerësimi i është dorëzuar në një ceremoni të veçantë nga ambasadori austriak në Shqipëri ku morën pjesë personalitete të larta të Shkodrës.

Dekorata e artë e nderit, titulli më i lartë që akordohet nga presidenti i shtetit Austriak, Alexander Van der Bellen, i jepet për herë të parë edhe një shqiptari.

Konsulli i nderit të Austrisë, Gjergj Liqejza, një emër i njohur në fushën e biznesit dhe jo vetëm, mori këtë vlerësim për kontributin dhe shërbimet e larta ndaj Republikës së Austrisë.

Në një ceremoni të veçantë në praninë e miqve, personalitete vendore të Shkodrës e më gjerë, dekorata ju dorëzua nga ambasadori Austriak, Johan Sattler.

Vlerësime të shumta dha në emër të shtetit të tij, por edhe si mik i Leqejzës, ambasadori Sattler.

Mes emocioneve, konsulli i nderit të Leqejzës  tha se kjo dekoratë është një vlerësim që i bëhet jo vetëm atij, por edhe Shkodrës e Shqipërisë, për vetë kontributin historik që ka patur Austria ndër shekuj.

Gjergj Leqejza, konsull nderi i Austrisë: "Jam shumë i nderuar si shpipëtar dhe shkodran që më akordohet nga presidenti i një shteti e populli  mik , vazhdues i një perandorie e cila që nga shekulli i 17 ka qenë vazhdimisht mbrojtësi dhe përkrahësi i qëndrueshëm historik i vendimeve që kanë përcaktuar fatin e shqipëtarëve e të Shqipërisë së sotme dhe që vazhdon të jetë një nga përkrahësit  më të sinqertë të Shqipërisë  në rrugën e vështirë për paktin për në Bashkimin Europian."

Të shumtë ishin miqtë që morën fjalë në këtë mbrëmje, duke e quajtur vlerësimin e Leqejzes, si vëmendja që gjithmonë ka ditur Austria t’ia japë Shkodrës.

Festa vijoi më pas me biseda e trokitje gotash mes të pranishmëve, ku nuk munguan edhe diskutimet mbi situatën politike që kalon vendi dhe vëmendjen e Austrisë në kuadër edhe të procesit të integrimit europian.


/Ora News.tv/