I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të Roland Qafokut,  kryeministri Edi Rama u përball me 8 premtime të pambajtura nga fushata e zgjedhjeve të 2013.

Ndërsa për një pjesë pati rezerva, Rama mbetet i vendosur për të shkuar drejt  shëndetësisë falas dhe për ndërtimin e një ishulli në lumin Osum, edhe pse për asnjerin nuk ka afate.

Qafoku: Zoti kryeministër, unë kam renditur 8 fakte , 8 premtimet tuaja që i keni bërë në fushatën elektorale përpara se të merrnit detyrën e kryeministrit. Ato nuk janë mbajtur. 1. Keni thënë në 8 vite do anëtarësoj Shqipërinë në BE. 

Rama: Ku e kam thënë këtë?

Qafoku: Gjatë fushatës elektorale të vitit 2013. Së dyti,  keni thënë që do zhduk krimin në familje.

Rama: Nuk e kam thënë asnjëherë këtë fjali. Nuk është fjalia ime kjo.

Qafoku: Keni thënë që shëndetësia do shkojë drejt të ashtëquajturës shëndetësi falas. 

Rama: Patjetër i qëndroj kësaj.

Qafoku: Keni thënë që qeveria do funksionojë si ekip në kohën kur ishit koalicion. Do shkarkoj çdo ministër dhe zyrtar që përflitet. 

Rama: Nëse dikush pasi përzihet nga qeveria kjo nuk ka peshën e provës në raport me fjalën time. Ju e keni për zotin Manjani por unë po shtoj edhe zotin Koka.

Qafoku: Keni thënë që do shkarkoj çdo ministër dhe zyrtar që përflitet. 

Rama: Asnjëherë se kam thënë kshu.

Qafoku: E ke thënë që çke me të. 

Rama: Asnjëherë. Sepse nuk hyn në mënyrën time të të kuptuarit të funksioneve  dhe detyrave të njerëzve që  thashethemet janë një arsye për të shkarkuar njerëz.

Qafoku: Keni thënë do t'ia heq godinën e SHQUP PD-së. 

Rama: Ka qenë një debat pa hyrë ende në qeveri dhe nuk besoj që ta kem thënë në këtë formë që e keni thënë ju  dhe e dyta nuk ka pikë rëndësie sot.

Qafoku: Keni thënë do ndërtoj një ishull në lumin Osum në Berat. 

Rama: Po e kam thënë këtë dhe i qëndroj kësaj.

Qafoku: Po kur? Në mandatin e tretë?

Rama: Nuk e di, po i kam thënë dhe i qëndroj. Dua vërtet që të krijohet mundësia që të ndërtohet ai ishull  sepse nuk është një ide e imja është një ide shumë e  vjetër, kemi bërë dhe një konkurs për atë, nuk janë krijuar kushtet për ta bërë por  po, e kam thënë.

Qafoku: Keni thënë edhe që autostrada Tiranë–Durrës do ndrijë nga palmat. 

Rama: Nuk është fjalia ime kjo. Nuk hyn fare kjo tek mënyrat e mia të të kuptuarit të botës  dhe aq më tepër pastaj të të folurit. Këto janë  fjali që duhet ti shikoni nga i keni marrë.  U mbollën palmat dhe për shkak të rënies drastike të temperaturës nuk i rezistuan dot.

Qafoku: Kushedi si jeni bërë kur e patë që u thanë. 

Rama: Dhe ku është problemi? E përjetoj keq çdo lloj momenti kur diçka nuk shkon ashtu siç duhet.  Ishte më bukur me ato tabelat e llamarinave?  U mbollën, nuk funksionoi edhe kaq.  Ndodh, nuk ka asnjë çudi.

 

 

Qafoku: Zoti Rama përveç se mbushen 6 muaj nga  marrja e mandatit të dytë, ka dhe një periudhë tjetër që unë  dua ta ndaj me ju  si analizë. Në prill  ju mbushni 20 vjet në politikë. Më rezulton që jeni politikani që ja keni parë hajrin politikës në kuptimin e mirë të fjalës.  Keni mbajtur vetëm 3 detyra: Ministër i Kulturës, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministër.  Keni qenë vetëm një vit në opozitë  dhe të gjithë e dinin që zoti Berisha do mbaronte mandatin e dytë dhe nuk do vazhdonte më në pushtet.  A ka një çelës të veçantë në këtë sukses? 

Rama: Çelës të veçantë nuk ka. Një çelës ka. Besimi i Kryeministrave që më dhanë mundësinë të ushtroj detyrën e Ministrit, pastaj besimi i njerëzve që më kanë dhënë votën dhe më kanë bërë nderin e madh që të  jem në një pozicion t'iu shërbej atyre duke bërë me timen më të mirën që unë kam mundësi.

Qafoku: Të ka prirë edhe fati?

Rama: Nuk i kam hyrë kësaj analize por i besoj shprehjes që  pas të 30-ave fati është njeriu vet.

/Ora News.tv/