Preçi: Vendimi i gabuar i Kosovës për mallrat me Serbinë

Preçi: Vendimi i gabuar i Kosovës për mallrat me Serbinë

Eksperti i ekonomisë, Zef Preҫi, në një intervistë ekskluzive për DW e quan të dëmshëm vendimin e qeverisë së Kosovës për rritjen 100% të taksës së mallrave që Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina eksportojnë në Kosovë.

DW:  Z. Preҫi, e si e shihni vendimin që mori të mërkurën (21.11.2018)  qeveria e Kosovës, për ngritjen 100 % të taksës për mallrat që importohen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnjë –Herzegovina?

Zef Preҫi: Do ta quaj një imitim ballkanik të luftës tregtare të Presidentit amerikan Trump.  Një imitim i verbër, pa sens të fuqisë ekonomike që ka Amerika. Trumpi matet me vende të fuqishme ekonomikisht si psh me Kinën, e kam fjalën për luftën tregtare që SHBA i shpalli Kinës, në shtator të këtij viti , duke ngritur tarifat për mallrat kineze që hyjnë në SHBA. Në rastin e Kosovës e them me bindje që imitimi do të rrënojë imituesin, pra Kosovën dhe jo Serbinë apo Bosnjë-Herzegovinën.

Përtej imitimit, ҫfarë e bën këtë vendim të kritikueshëm?

Zef Preҫi: Vendimi i qeverisë së Kosovës për rritjen 100% të taksës për mallrat që Serbia dhe Bosnjë-Herzegovina eksportojnë në Kosovë, është i gabuar politikisht dhe shumë i nxituar. Ai minon progresin në procesin e integrimit europian duke cënuar bashkëpunimin rajonal, instrumentin më efikas për afrimin e Ballkanit Perëndimor (BP) me BE  dhe një nga shtyllat kryesore të procesit të Berlinit. Ndërkohë që ҫdo lloj progresi në bashkëpunimin rajonal mes vendeve të BP i shërben afrimit me BE dhe e kundërta. Vendimi i Qeverisë së Kosovës bie ndesh me arritjet e deritanishme në BP, me përpjekjet për krijimin e Zonës Rajonale Ekonomike, lëvizjen e lirë të mallrave, kapitaleve, njerëzve. Ai bie ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare dhe rajonale si CEFTA, ( Central European Free Trade Agreement) e krijuar enkas nga BE për të letësuar shkëmbimet tregëtare mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.  

Po në planin e interesave ekonomike të Kosovës, ҫfarë dëmi sjell ky vendim?

Zef Preҫi: Kosova me Serbinë dhe Bosnjë –Herzegovinën kanë lidhje tregtare dhe ekonomike, që datojnë para shpërbërjes së ish-Republikës Federative të Jugosllavisë. Le të jemi realistë: në 20 vitet e fundit ato që kanë funksionuar mirë në shkëmbimet tregtare mes vendeve të BP për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kapitaleve janë marrëveshjet e lidhura para se Federata Jugosllave të shpërbëhej. Në këto marrëveshje ka lidhje tregtare, kualifikim të fuqisë punëtore, investime etj. është përfshirë në mënyrë të natyrshme edhe Kosova. Ekonomia e saj kombëtare do të ketë humbje të mëdha.Vendimi nuk ndihmon prodhuesit vendas. Përkundrazi.

Vendimi ka shkaktuar reagim të menjëhershëm negativ nga BE. Përfaqësuesja e Lartë e BE Federica Mogherini, ka kërkuar anulimin e tij, sa më parë. A mendoni se qeveria e Kosovës do ta anulojë?

Zef Preҫi: Mendoj se po. Është një vendim i përkohshëm, i nxituar, i paarsyetuar. Besoj që qeveria e Kosovës do të tërhiqet nga ky vendim vetëvrasës në kuptimin ekonomik të  fjalës. Presioni nga BE do të rritet.  Në kontekstin e dialogut Prishtinë – Beograd, për normalizimin e marrdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, vendim i qeverisë së Kosovës për rritjen 100% të taksës për mallrat që Serbia eksporton në Kosovë është një acarimi artificial , i panevojshëm që nuk i shërben përpjekjeve që po bën elita e Kosovës. Kosova ka shumë gjëra për të bërë. 

Çfarë konkretisht?                

Zef  Preҫi: Të luftojë më mire se deri tani korrupsionin, të garantojë rritjen e eksporteve kosovare drejt Serbisë dhe jo të mbyllë importet dhe të shkelë marrveshjet ndërkombëtare.

Dr. Zef Preҫi është Drejtor i Institutit të Studimeve Ekonomike në Tiranë. /DW/

EMISIONET