Koncesionet Partneritet Publik Privat do të kenë impakt në rritjen e borxhit të Shqipërisë. I këtij mendimi është guvernatori Gent Sejko, i cili i kërkon qeverisë të monitorojë marrëveshjet në investimet në rrugë ku shënohet rritje e faturave.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka paralajmëruar qeverinë shqiptare për shtesën në fondet për kompanitë që kanë përfituar projekte PPP.

Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë ai kërkoi një monitorim më të rreptë sidomos në investimet në infrastrukturë, ku vërehet rritja e faturave. Po ashtu ai shprehet kundër mendimeve se kjo formë nuk rrit borxhin.

Sejko: Gjej me vend të theksoj dhe një herë nevojën për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon anës ligjore dhe financiare të tyre. Gjithashtu, PPP-të e kontraktuara në lëmin e investimeve publike duhet të jenë konform programit strategjik afatmesëm e afatgjatë të investimeve, sikundër janë identifikuar në programet e zhvillimit të vendit.

Informaliteti mbetet ende një problem në Shqipëri.

Sejko: Është një nga problemet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe një nga sfidat kryesore, reforma në kuadrin e informalitetit është një nga elementët kryesorë që ne në bashkëpunim dhe me qeverinë shqiptare kemi vendosur ta ndërmarim. Sigurish që edhe kjo ka pasojat dhe kostot e saj.

Sejko ka kërkuar prej qeverisë më shumë vëmendje për investimet e huaja.

Sejko: Të bëjmë detyrat tona lidhur me përmirësimin e klimës së biznesit, lidhur me propagandimin ose marketingun e aseteve tona si Shqipëri, lidhur me përmirësimin e fuqisë punëtore. Një problem tjetër që ndikon në investimet e huaja është niveli i kualifikimit të fuqisë punëtore.

I pyetur nga deputetët mbi mundësinë e kalimit të përdorimit nga leku në euro, ai shpreh tërësisht kundër duke paralajmëruar impakt negativ.

/Ora News.tv/