Porti i ri i Durrësit nuk ka hapësirë, 30 peshkarexha kërkojnë vend për ankorim

Porti i ri i Durrësit nuk ka hapësirë, 30 peshkarexha

Mungesa e hapësirës në Portin e ri të Peshkimit dhe përgatitjet për zgjerimin e portit të të Durrësit kanë vënë në vështirësi 30 anije të flotës së peshkimit në qytetin bregdetar. Peshkarexhave që janë në pritje të remontit, u është kërkuar të largohen, por peshkatarët thonë se nuk kanë asnjë vend ku mund të ankorojnë mjetet e tyre, për momentin jo funksionale. Sakaq edhe vetë Porti i Ri i peshkimit mbetet pa menaxhim pasi nuk është marrë ende në dorëzim nga shoqata e peshkatarëve.

Zbatimi i projektit për zgjerimin e portit të Durrësit ka vënë në vështirësi pronarët dhe peshkatarët e 30 peshkarexhave të flotës së peshkimit që qëndrojnë në Portin e vjetër të Peshkimit në pritje të riparimit.

Atyre u është kërkuar largimi nga kalata për ti hapur rrugën investimit, por peshkatarët thonë se nuk kanë ku të dërgojnë mjetet lundruese.

Klodian Kapiti: Duhet ti hiqnim brenda 20 ditëve, por nuk ka një zgjidhje se ku të çohen.

Porti i ri i Peshkimit, një investim prej 12 milion eurosh, nuk ka kapacitete për të strehuar të gjithë flotën e peshkimit.

Klodian Kapiti: Porti i ri i Peshkimit nuk i përmbush kushtet për ti strehuar të gjitha këto anija për shkak se është ndërtuar në parametra të vogla dhe nuk është i mjaftueshëm për kapacitetin që ka, të pranojë dhe këtë numër anijesh.

Sakaq, edhe porti i ri i peshkimit vijon te mbetet peng i burokracive. Investimi ka mbaruar prej kohës, por ai nuk është marrë në dorëzim nga shoqata e peshkimit.

Porti i ri i peshkimit, një investim që shkaktoi jo pak debate mes Bashkisë së Durrësit dhe Qeverisë së djathtë në vitin 2012, vazhdon të jetë në kërkim të zgjidhjes dhe mirëmenaxhimit.

EMISIONET