Komediani, Volodimir Zelenski, vijon të pushtojë titujt kryesorë të mediave ndërkombëtare. I riu nuk është shfaqur në debatin presidencial përballë Presidentit në detyrë Poroshenko, duke e lënë këtë të fundit të vetëm në podium. Kreu i shtetit deklaroi se Zelenski nuk u paraqit në debat pasi ka frikë dhe nuk ka argumenta të qenësishëm.

Edhe pse ishte parashikuar një debat kokë më kokë mes dy kandidatëve, Presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, i cili është në kërkim të një mandati të dytë në krye të vendit, i është dashur që të debatojë me veten, në një aktivitet madhor të organizuar nga stadiumin e Kievit.

Kjo për shkak se komediani, Volodimir Zelenski, për arsye të paqarta, bojkotoi përballjen televizive.

Ende nuk dihet konkretisht shkaku, por mediat shkruajnë se problemi i Zelenskit ishte data e zhvillimit të debatit.

Ai kishte kërkuar që debati të mbahej të premten e ardhshme, ose thënë ndryshe, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve.

Gjithësesi, kjo me sa duket nuk u pranua nga Poroshenko. 

Presidenti gjatë fjalës së tij tha se Zelenski kishte frikë të dilte në arenën e debatit.

“Nëse ai fshihet nga njerëzit, kjo do të thotë se ai ka frikë. Kjo është një mundësi për të gjithë vendin që të shohë se çfarë frikacaku mund të zgjidhet për pesë vitet e ardhshme. Ai nuk u shfaq sot në debat, pasi i mungojnë argumentet.”

Tashmë mbetet të shihet se si do të ndikojë ky zhvillim në zgjedhjet e javës së ardhshme.

Në raundin e parë, Zelenski fitoi 30% të votave, ndërsa Poroshenko u ndal në limitin e 16%-shit.

 Gjithësesi, ekspertët shprehen se pavarësisht diferencës së theksuar, gara mbetet e hapur deri në ditën e fundit.



/Ora News.tv/