Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, u bëri thirrje vendeve evropiane të mbajnë një qëndrim të ashpër ndaj Iranit, duke shkurtuar të gjitha fondet që vendi mund të përdorë për të nxitur paqëndrueshmëri në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Zoti Pompeo u takua me zyrtarët europianë në Bruksel, pas takimit të udhëheqësve të NATO-s. Ai u kërkoi atyre të bashkohen me një fushatë presioni ekonomik të udhëhequr nga SHBA-ja kundër Teheranit, që nisi pasi Presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja e rëndësishme bërthamore e Iranit në muajin maj.

"Ne u kërkojmë aleatëve dhe partnerëve tanë të bashkohen me fushatën tonë të presionit ekonomik ndaj regjimit të Iranit", shkruante zoti Pompeo në një postim në Twitter përpara bisedimeve. “Ne duhet të presim të gjitha fondet që regjimi përdor për të financuar terrorizmin dhe luftërat e ndërsjellta. Do të jetë e pamundur të përcaktohet se kur Irani mund të përpiqet të nxisë terrorizmin, dhunën dhe paqëndrueshmërinë në një nga vendet tona më pas''. Postimi i tij shoqërohej me një hartë që akuzonte Iranin për sponsorizimin e të paktën 11 sulmeve terroriste në Evropë që nga viti 1978.

Komentet e zotit Pompeo vijnë pasi zyrtarë të tjerë amerikanë po zhvillojnë vizita në vende të ndryshme të botës për t’i paralajmëruar ato të ndalojnë blerjen e naftës nga Irani pasi në të kundërt do të përballen me sanksione dhe pasi ai akuzoi Iranin për përdorimin e ambasadave të saj për të komplotuar sulme terroriste në Evropë.

/Ora News.tv/