Polonia rikthen gjykatësit në detyrë

Polonia rikthen gjykatësit në detyrë

Qeveria polake u tërhoq dhe anuloi ligjin që ulte moshën e daljes në pension për gjykatësit. Kjo ka mundësuar rikthimin në detyrë të një grupi gjyqtarësh të Gjykatës së Lartë, që më herët u detyruan të dilnin në pension të parakohshëm.

Ligji i miratuar në korrik e ulte moshën e daljes në pension për gjykatësit, një lëvizje që u konsiderua si përpjekje e partisë në pushtet Ligj dhe Drejtësi për të vënë nën kontroll pushtetin gjyqësor.

Rikthimi në detyrë i gjykatësve vjen edhe pas vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë që urdhëroi Poloninë ta anulonte menjëherë ligjin.

Çështja solli përplasje të ashpra edhe midis Brukselit dhe Varshavës. Bashkimi Europian tha se ligji polak binte ndesh me vlerat e bllokut evropian dhe nxitoi t’i kushtëzonte vendit të drejtën e votës. Partia Ligj dhe Drejtësi tha se synonte të pastronte sistemin e drejtësisë nga çdo mbetje komuniste. Kur ligji kaloi në korrik të këtij viti, ai hasi kundërshtimin e publikut dhe solli protesta masive.

 Tradicionalisht euroskeptike, pas zgjedhjeve të fundit vendore, kur humbi shumicën e qyteteve të mëdha të vendit, partia Ligj dhe Drejtësi po synon tani të duket më proevropiane.

EMISIONET