Poloni, prokurorët hapin hetim për racizëm gjatë parakalimit të 11 nëntorit

Poloni, prokurorët hapin hetim për racizëm gjatë parakalimit

Prokurorët polakë kanë hapur një hetim për racizëm gjatë marshimit të krahut të djathtë në Varshavë më herët gjatë muajit. Disa zyrtarë i tremben rritjes së mbështetjes për ekstremistët e djathtë, pasi kjo tregon se idetë e tyre po bëhen pjesë e diskursit të përditshëm.

Prokurorët polakë kanë nisur një hetim për "përhapje publike të fashizmit dhe urrejtjes" gjatë marshit të organizuar nga ekstremi i djathtë më 11 nëntor, Ditën e Pavarësisë së Polonisë. Sipas një zëdhënëseje të zyrës së prokurorëve në Varshavë, hetimi do të përqëndrohet tek organizatorët e këtij marshi dhe tek personat të cilët mbajtën pankarta ofenduese gjatë parakalimit. Rreth 30.000 persona pushtuan rrugët e kryeqytetit polak më 11 nëntor, me slogane raciste si "Polonia është e gjitha e bardhë!" apo "Vdekje armiqve të atdheut!"

Mbetet për t'u parë nëse kjo lëvizje e zyrës së prokurorëve dëshmon hapin e rradhës në betejën e vazhdueshme mes qeverisë polake dhe gjyqësorit zyrtarisht të pavarur, ose nëse vetë partia udhëheqëse Ligj dhe Drejtësi është e shqetësuar politikisht nga rritja e mbështetjes për ekstremin e djathtë. Partia qeverisëse ka qenë e hapur në shprehjen e antipatisë për emigrantët, por është treguar e rezervuar sa i përket rritjes së ksenofobisë në Poloni. Disa analistë argumentojnë se Partia Ligj dhe Drejtësi po përpiqet të shmangë një situatë ku nacionalistët fitojnë terren politik e madje elektoral, ashtu siç po ndodh në Hungari me partinë qeverisëse Fidesz dhe ekstremistët e djathtë të Jobbik.

EMISIONET