Policia e Kosovës ndalon Vuçiçin që të shkojë në Drenicë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, është ndaluar nga Policia e Kosovës të vazhdojë rrugëtimin në drejtim të Drenicës.

Kështu të paktën raporton gazeta serbe Telegraf.

“Në rrugën Zubin Potok-Banjë, Policia e ndaloi presidentin serb. Ka një debat të vazhdueshëm mes policëve dhe presidentit. Ai u njoftua që bllokadat janë rreth 2 kilometra, dhe nuk ka siguri për ta vazhduar rrugëtimin”, shkruan gazeta serbe.

Ndërkohë, përveç forcave të shumta të Policisë së Kosovës në zonën Bojtesh-Skenderaj, në zonë është dislokuar edhe një furgon i KFOR-it.

Vendimi për ndalimin e tij për të shkuar në Skënderaj e mori qeveria e Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj tha se vendimi ishte marrë për të garantuar sigurinë.

Nga ana tjetër, qytetarët po vazhdojnë protestën asaj i është bashkuar edhe kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari. Jashari ka deklaruar se Vuçiqi s’mund të kalojë në Drenicë pa kërkuar falje.

Po sot, Vuçiç ka paralajmëruar se do të mbajë një tubimin para qytetarëve në Mitrovicën e Veriut. Ai tha se vjen në Kosovë me plane ekonomike konkrete, por edhe për t’ua thënë të vërtetën serbëve të Kosovës.

“Të dielën në orën 12 është tubimi në Mitrovicë, në të cilin unë i ftoj të gjithë njerëzit, të cilët dëshirojnë të dëgjojnë edhe atë që ndoshta nuk do t’iu pëlqejë në tërësi, por do ta dëgjojnë të vërtetën”, Vuçiç.

EMISIONET