Në orët e para të mëngjesit të së shtunës në aeroportin e Shkupit filluan punimet për heqjen e shkronjave "Aleksandri i Madh". Vendimi për këtë veprim është marrë në katër shkurt prej qeverisë maqedonase, e cila ka vendosur emrin e ri "Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit". 

I njëjti operacion nisi dhe në zëvendësimin e tabelave në autostradën për në Greqi. Vendime këto që u paralajmëruan nga kryeministri Zoran Zaev më 24 janar, pas takimit me kryeministrin grek Aleksis Tsipras më Davos të Zvicrës. Aksi rrugor pjesë e Korridorit 10 të quhet autostrada “Miqësia”.

Ndryshimet shihen si pjesë e negociatave mes të dy vendeve për miratimin dhe të emrit të Maqedonisë. Tashmë si prej Athinës zyrtare dhe Shkupit është deklaruar se marrëveshja është shumë pranë dhe pritet vetëm dalja me një vendim përfundimtar. 

Mediat kanë bërë të ditur se në tryezën e diskutimeve janë vendosur katër emra, në të cilët emri Maqedoni është kryesor. Por për këtë prej Greqisë është deklaruar se emri do të ketë dhe një shtesë përcaktuese të hapësirës gjeografike. Këto përafrime kanë ngjallur debat në Greqi, ku opozita zhvilloi dhe protesta në Athinë duke kërkuar përjashtimin e emrit Maqedoni nga bisedimet, duke e cilësuar vendimin e Aleksis Tsipras dhe një tjetërsim të historisë.

Gjithashtu është bërë e ditur se  grupe pune në të dy shtetet janë duke diskutuar për arritjen e një drafti përfundimtar që më pas do të kalojë për miratim në parlamentet përkatëse. Bisedimet dy palëshe tashmë kanë marrë dhe bekimin e krerëve të Bashkimit Evropian.



/Ora News.tv/