Në Durrës operatorët privatë që operojnë përgjatë bregdetit vijojnë të mos respektojnë vendimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të rritur sigurinë në plazhe. Në këto kushte pushuesit thonë se duhet të tregohen shumë të kujdesshëm për fëmijët dhe të afërmit.

Sezoni turistik është në kulmin e tij por në Durrës mungesa e sigurisë vijon të mbetet shqetësimi kryesor i pushuesve.

Në këto kushte ato duhet të kujdesen vetë për të afërmit dhe fëmijët. Edhe pse pushuesit kanë ngritur disa herë zërin, bizneset që operojnë përgjatë bregdetit nuk kanë marrë asnjë masë për të rritur sigurinë, duke shkelur në këtë mënyrë edhe vendimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Në zonën e Hekurudhës kjo është kulla e vetme vrojtuese e ngritur nga një subjekt privat, por mungesa e eksperiencës e bën të vështirë ndërhyrjen në rastet e emergjencës.

Por pavarsisht problemeve, ata që e kanë zgjedhur bregdetin e Durrësit shprehen të kënaqur me pastërtinë e plazhit dhe çmimet.

Këtë verë mungesa e sigurisë në plazhe por edhe pakujdesia e pushuesve ka shkaktuar 11 viktima.

/Ora News.tv/