Pezullohet ligji 7501, vendimi i qeverisë edhe për ish-fermat

Pezullohet ligji 7501, vendimi i qeverisë edhe për ish-fermat

Pezullohet përkohësisht dhënia e certifikatave të pronësisë për ata që përfituan tokë nga ligji 7501 dhe ai i ndarjes së tokave të ish- ndërmarrjeve bujqësore .Vendim i  marë nga qeveria në mbledhjen e  zhvilluar në Elbasan është botuar në Fletoren Zyrtare dhe do të prekë zonat me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike. Pezullimi prek kryesisht zonat bregdetare ku do të nisë verifikimi i rreth 30 mijë parcelave.

"Qeveria synon ti japë fund këtij procesi të turpshëm dhe ti rikthejë shtetit shqiptar tokat e grabitura në këtë mënyrë. Do të bëjë krehjen e vendimarrjes abuzive përgjatë gjithë vijës bregdetare për ta çliruar atë nga ngërçi pronësor. Këtij procesi ligjvënës do ti nënshtrohen rreth 30 mijë parcela përgjatë gjithë bregdetit shqiptar".

Vetëm pak ditë  pas deklaratës së kreut të Aluizni-t, Artan Lame, qeveria mori vendim për pezullimin e kalimit në pronësi të tokave të marra në përdorim në bazë të ligjit 7501.

Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar në Elbasan dhe është botuar në Fletoren Zyrtare dhe në bazë të tij bashkitë që preken janë Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol.

Në vendimin e qeverisë, thuhet gjithashtu se objekt do të jenë pronat e ish-kooperativave dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore të cilat janë në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike.

Qeveria urdhëron  njësitë e vetëqeverisjes vendore, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme që të zbatojnë vendimin pavarësisht nga faza procedurale ku janë.

Harta e tokave që do të preken është e parashikuar dhe në Gjeoportalin Kombëtar ku dhe janë të parashikuar nismat për investime.

Sipas kryetarit të ALUIZNI-t, zonat më problematike ku ka denoncime për abuzime me titujt të pronësisë janë bregdeti i Velipojës, Lezhës, Shëngjinit, zona e Kune-Vainit, Ishull Lezha, Gjiri i Lalëzit, bregdeti i Spillesë në zonën e Kavajës, bregdeti i Semanit, zona e Nartës, zona e Orikumit dhe bregdeti i Rivierës në përgjithësi në jug.


VE N D I M 
PËR

 PEZULLIMIN E PËRKOHSHËM TË PROCEDURAVE TË KALIMIT NË PRONËSI TË PËRFITUESVE TË TOKËS BUJQËSORE TË ISH-NDËRMARRJEVE BUJQËSORE DHE TË REGJISTRIMIT TË AKTEVE TË MARRJES SË TOKËS NË PRONËSI, NË ZONËN ME RËNDËSI PËR FONDIN E MBËSHTETJES SË INVESTIMEVE STRATEGJIKE 

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.171/2014,  “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar, të nenit 9, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, të neneve 25 e 45, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe të neneve 27 e 31, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 1. Pezullimin e përkohshëm të vijimit të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike, sipas hartës bashkëlidhur këtij vendimi, publikuar edhe në Gjeoportalin Kombëtar, të administruar nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), deri në krijimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, sipas nenit 31, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”.

2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, territori administrativ i të cilave përfshihet në hartën e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të pezullojnë procedurat e kalimit në pronësi të tokës së ish-ndërrmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike, pavarësisht nga faza procedurale, menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria  e Turizmit dhe Mjedisit,  Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe bashkitë Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol për zbatimin e këtij vendimi.

Harta ndodhet ne kete link


EMISIONET