Peru: Presidenti Kuczynski mohon akuzat për ryshfet

Peru: Presidenti Kuczynski mohon akuzat  për ryshfet

Presidenti i Perusë, Pedro Pablo Kuczynski, ka mohuar të ketë marrë ryshfete nga gjiganti i ndërtimit brazilian, Odebrecht.

Në një deklaratë të transmetuar në televizionin kombëtar, Z. Kuczynski hodhi poshtë pretendimet se ai ishte punësuar si konsulent një dekadë më parë.

Pretendimet u bënë nga ish-presidenti i firmës, Marcelo Odebrecht.

Kompania ka qenë e implikuar në raste të korrupsionit në disa vende të Amerikës Latine.

Marcelo Odebrecht, i cili po vuan dënimin me 19 vjet burg në Brazil, ka rënë dakord të bashkëpunojë me një hetim të madh ndërkombëtar për korrupsion në këmbim të një dënimi më të butë.

Odebrecht  tha se Z. Kuczynski ishte punësuar si konsulent në Peru një dekadë më parë, pasi ishte ministër i financave.

Ai gjithashtu u tha prokurorëve se kompania e ndërtimit kishte paguar 29 milion dollarë ryshfete për zyrtarët peruan përgjatë shumë viteve.

Z. Kuczynski, 79 vjeç, tha se akuzat ishin të rreme.

"Nuk kam marrë asnjë mbështetje nga ajo kompani në asnjërën nga dy fushatat e mia zgjedhore", tha z. Kuczynski.

"Është thelbësore që ne të gjithë të luftojmë korrupsionin dhe unë jam i angazhuar në atë luftë", shtoi ai.

Peruja është një nga shumë vendet që pretendohet se është kapur në rrjetin e korrupsionit të drejtuar nga Odebrecht.

Kompania ka pranuar pagimin e ryshfeteve për të siguruar kontrata fitimprurëse në të gjithë Amerikën Latine dhe Afrikë.

Ish-presidentët peruan Ollanta Humala dhe Alejandro Toledo janë nën hetim.

Z. Humala dhe gruaja Nadine Heredia janë vendosur në paraburgim për 18 muaj.

Z. Toledo iku në SHBA dhe ashtu si z. Humala, mohon akuzat.

Në Brazil, Presidenti Michel Temer dhe një e treta e kabinetit të tij po përballen me akuza. Temer gjithashtu ka mohuar çdo akuzë.

EMISIONET