Përplasje me armë gjatë grabitjes së një banke në Kosovë, vritet polici

Në Kosovë, policia tha se një pjesëtar i saj është vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me një grabitës në një bankë në Kosovën perëndimore.

Në një njoftim të policisë thuhet se një person që u identifikua me inicialet K.M. hapi zjarr kundër dy pjesëtarëve të policisë që ndërhynë për të penguar një plaçkitje të një banke në komunën e Istogut.

Plaçkitësi i cili po ashtu u vra, kishte marrë peng dy veta gjatë plaçkitjes. Policia tha se tek ai janë gjetur një revole, një garantë dore dhe një pushkë automatike AK-47.

Mediet lokale e identifikuan plaçkitësin si Kamer Metaj, 50 vjeçar me një të kaluar kriminale në Gjermani.

Autoritetet thanë se polici i vrarë është Izet Demaj, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

Policia ka arrestuar dy persona, të cilët dyshohet të jenë përfshirë në tentativën e grabitjes së bankës. Në pranga kanë rënë shtetasit Y.M dhe U.M, përkatësisht vëllai i grabitës që mbeti i vrarë dhe një i afërm i tyre.

Reagimet për vrasjen 

Udhëheqës institucionesh e partish politike dënuan vrasjen e tij duke ngushëlluar familjen dhe policinë e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, në një reagim tha se “vepra heroike e flijimit për të shpëtuar jetët e pafajshme është dëshmi e radhës për profesionalizimin dhe humanizmin e Policisë së Kosovës dhe veçmas të pjesëtarit të saj, njëherit ish ushtarit të UCK-së, Izet Demaj”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, e quajtën hero të sundimit të ligjit policin e vrarë.

Hero e cilësoi edhe ambasadori britanik në Prishtinë, Ruariri O’Connell.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa u shpreh “thellësisht i tronditur nga lajmi i hidhur se në Istog, sot u vra në krye të detyrës Izet Demaj, polic i Republikës së Kosovës. Izeti u vra në mbrojtje të qytetarëve dhe pronës së Kosovës, u vra njeriu për idealet për të cilat luftoi si luftëtar i Koshares edhe atëherë kur ishte më së vështiri”.

Lëvizja Vetëvendosje duke ngushëlluar familjarët dhe të afërmit e policit të vrarë, thekson se “ngjarje të tilla janë të dhimbshme për të gjithë qytetarët e Kosovës. Izet Demaj ka qenë edhe ushtar i UÇK-së, dhe si shoqëri e si komb duhet ta respektojmë si dëshmor i mbrojtjes së rendit e ligjit. Vështirësitë e punës në polici janë të mëdha, dhe rrogat e të ardhurat të pamjaftueshme krahasuar me punën që e bëjnë. Për rastin në fjalë, do të kërkojmë nga autoritetet që familja e policit të vrarë të ndihmohet nga shteti në vazhdim”./VOA/


(Në foto:Vendi ku ndodhi ngjarja)

(Në foto: Polici që mbeti i vrarë)

(Në foto: Autori i grabitjes, që gjithashtu mbeti i vrarë)


EMISIONET