Prezenca e forcave të policisë së shtetit tek Universiteti i Ekonomikut nuk ishte në shkelje të ligjit. Prania e tyre është kërkuar nga administratori i Universitetit të Tiranës.

Ora News ka siguruar kërkesën që mban firmën e administratorit Skerdi Dafa, dhe i është dërguar për dijeni edhe të dekanit Dhori Kule, drejtuar kreut të policisë së shtetit Ardi Veliu ku i kërkon që policia e shtetit të asistojë punën e policisë private.

"Vlerësohet se ndodhemi në kushtet kur situata paraqitet e rënduar, me pasoja negative direkte në një numër të konsiderueshëm qytetarësh (personel e studentë) dhe prezenca ka si qëllim vendosjen e  normalitetit në ambjentet e UT" thuhet në kërkesën drejtuar policisë që mban datën 10 janar 2019.

Administratori i Universitetit te Tiranes eshte i zgjedhur nga Ministria e Arsimit

Fill pas këtij lajmi, nuk ka munguar dhe një koment i kreut të PD-së Lulzim Basha, ndërsa ishte në një tryezë me përfaqësues të medias.

Basha: Kanë nxjerrë në media se kush e paska lëshuar urdhrin për të futur policinë në Universitet. Urdhrin e ka firmosur Skerdi Dafa, administrator i Universitetit. Po kush e ka emëruar këtë? E ka emëruar Qeveria që kontrollon Bordin e Universitetit se autonomi nuk ka. Skerdi Dafa është ish-drejtor i Postës dhe ish-drejtor i Tatimeve të Elbasanit, militant i PS-së. Me ligjin qenkemi në rregull se policinë e paska thirrur administratori. Por në fakt policinë e ka thirrur Edi Rama me mashën e tij. Skerdi Dafa është militant i PS, nuk duhet të ishte kurrë administrator i Universitetit të Tiranës, mund të ishte administrator i degës së PS-së së Elbasanit.Mund të ishte dhe punonjës i Kryeministrisë.Është sepse nuk ka autonomi.

Mes studentëve dhe policisë së shtetit pati përplasje dhe konfrontime tek Ekonomiku, më pas policia vendosi të dalë jashtë oborrit të Fakultetit.

/Ora News.tv/