Njëri sens i autostradës Lushnje-Rrogozhinë ishte bllokuar paraditen e së mërkurës për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut të një natë më parë.

Punonjës dhe mjete kishin dalë për pastrimit e inerteve të depozituara në trafikndarëse për të shmangur çdo mundësi aksidentesh.

E pezulluar është edhe linja hekurudhore Lushnje – Vlorë pasi në disa zona ka rrëshqitje dherash.

Në Zhamë, ujërat e bardha janë bashkuar me ato të zeza, fenomen që banorët thonë se ndodh sa herë që regjistrohen reshje shiut.

Përgjatë autostradës, shtëpi e biznese kishin prezencë uji mbrëmjen e së martës, ndërsa një ditë më pas po evidentonin dëmet. Nën ujë janë edhe disa dhjetra hektarë tokë.

Reshjet intesive rikthyen përmbutjet edhe në Krujë.

Lumi Ishëm doli nga shtrati dhe vuri nën ujë rreth 40 hektarë tokë të mbjellë. Situata më problematike paraqitet në fshatin Murqin.

Banorët thonë se përmbytja u ka dëmtuar të mbjellat ndërsa kujtojnë se kjo është përmbytja e 7 në vitin e fundit.

Një pjesë e vendit prej ditësh ka qenë nën ndikimin e motit me reshje intensive shiut, por prej kësaj të mërkure situata sinoptike do të ndryshojë duke na rikthyer në kushtet atmosferike të pranverës me diell e temperatura të larta.

/Ora News.tv/