Përkujtohet shkrimtari arbëresh, Andon Santori

Përkujtohet shkrimtari arbëresh, Andon Santori

Në Shkodër është përkujtuar jeta dhe vepra e shkrimtarit arbëresh Andon Santori. Ekspozita që është hapur në nder të tij, sipas studiuesve u jep mundësi lexuesve të njihen me figura të tilla me kontribut të vyer.

200 vjetori i lindjes së shkrimtarit dhe françeskanit arbëresh, Andon Santori, u përkujtua në qytetin e Shkodres me një sërë aktivitetesh kulturore e historike.

Në biblioteken françeskane po qëndron prej një jave e çelur ekspozita “Rrugëtime kulturore të Françeskanëve për rilindjen arbëreshe dhe shqiptare” me dorëshkrimet santorjane të arkivit të shtetit.

Profesor, Françesko Altimari, pranon se përmes të tilla nismave do t’i ofrohet mundësia lexuesve dhe studiuesve të njihen më shumë me këtë figurë.

Françesko Altimari: Ka qenë figura më e plotë përfaqësuese e lëvizjes kulturore arbëreshe. Këto botimet e fundit na dëftuan këtë rol të Santorit.

Profesori i letërsisë shqipe dhe drejtuesi i njësisë shkencore të albanologjisë në universitetin e Palermos, Matteo Mandala, flet edhe për rrezikun që ka sot gjuha e arbëresheve, për të cilën duhet punuar më shumë për ta ruajtur.

Matteo Mandala: Bashkësia arbëreshe është në një kthese jo shumë pozitive. Me ndërhyrjet e fuqishme që kemi nga ana e mediave sot komuniteti arbëresh rrezikon të humbasë indentitetin e vet gjuhësor.

Andon Santori lindi me 16 shtator 1819 dhe ndërroi jetë në 1894. Ai ishte prift, poet dhe shkrimtar. Ndonëse pjesën më të madhe e kaloi si murg, ai mori pjese edhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Santori është autor i një numër të madh poezish, pjese teatrale, tregime, novela.

EMISIONET