Përkujtimi i Sokol Olldashit, si simptomë e lëngimit të së djathtës

Përkujtimi i Sokol Olldashit, si simptomë e lëngimit të

Këto ditë ka qenë përvjetori i katërt i vdekjes së Sokol Olldashit. Nuk kanë munguar si edhe çdo vit që familja e tij dhe miqtë ta përkujtojnë. Dhe është mëse normale. Por është edhe viti i katërt që shumë admirues të tij politikë, ndjekës dhe bashkëpunëtorë e përkujtojnë dhe kjo jo vetëm në përvjetorë por edhe gjatë vitit. Mund të jetë e kuptueshmë nostalgjia për Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën e nostalgjikëve të tyre. Mund të jetë e kuptueshme ithtaria për Berishën dhe Edi Ramën. Por ky lloj fetishizimi për të ndjerin Olldashi është i pakuptueshëm. Dhe kjo nuk është normale. Por është një simptomë shqetësuese e të djathtës shqiptare.

Sokol Olldashi ishte një produkt natyral i Shqipërisë. Me prejardhje nga familje e majtë, ai u bë viktimë e luftës brenda llojit të komunistëve. Kjo ndihmoi jo vetëm në formimin e bindjeve të tij antikomuniste, për të cilat vështirë të thuhet gjë, por mbi të gjitha të një personaliteti të fortë për shkak të kushteve të jetës. Edhe në karierën e tij të shkurtër, më shumë sesa ideologjik ai ishte karakter i spikatur. Olldashi nuk ishte as më i mirë dhe as më i keq se sivëllezërit e tij. Ajo që i atribuohet nga ndjekësit e tij si më e dalluara është veprimtaria si ministër i brendshëm dhe lufta kundër bandave. Ndërkohë kundërshtarët thonë se përdori një palë banda kundër të tjerave.Asgjë e jashtëzakonshme në historinë politike shqiptare.

Ajo që e dallonte Olldashin ishte lidershipi natyral i tij. Kjo e bënte që të mblidheshin rreth tij shumë aspirantë për të qenë pjesë e një grupi kundër Berishës apo për të marrë trashëgiminë që do linte lideri historik i demokratëve pas daljes në pension. Dhe duhet thënë se në periudhën e shkurtër pas humbjes së 2013-ës, kur edhe Berisha ishte nën heshtjen paszgjedhore, Olldashi spikati. Por vdekja e parakohshme nuk e la të shfaqej i plotë personaliteti i tij. Ne nuk e dimë si do përballej me Ramën? Sa do të ishte në gjendje të ndahej nga trashëgimia e Berishës? Sa do ta lejonte këtë të fundit të komandonte grupin parlamentar? Cila do të ishte linja e tij politike: një opozitë e egër apo politikisht korrekte? Dhe mbi të gjitha ne nuk e dimë sesi do të ishte Sokol Olldashi nëse do ia dilte të fitonte në 2017-ën dhe si do sillej si kryeministër ndaj vendit, buxhetit, opozitës apo ndjekësve të tij? Pasi ai nuk ia doli kundër fatit. Ai ishte një meteor me të cilat është i mbushur kosmozi i politikës, pa ia dalë të bëhet yll. Dhe kur në politikë nuk ia del të bëhesh yll, nuk bëhesh dot as simbol apo model. Si i tillë të përkujtohet nga disa njerëz që janë jashtë rrethit familjar dhe shoqëror tregon një problem të segmentit të djathtë.

Kjo tregon se një pjesë e të djathtëve janë të zhgënjyer nga lidershipi atual i PD. Mënyra e tij e të bërit opozitë nuk iu jep besim.

Mund të kenë të drejtë ose jo, por lidhja e tyre pas një simboli si Olldashi i cili gjithsesi nuk të ofron në pushtet, është edhe tregues se ende e djathta nuk po prodhon një politikan që të konkurojë Berishën, apo të japë më shumë shpresë sesa Basha.

Ky lloj fetishizimi është edhe jo produktiv, pasi pengon lindjen e politikanëve të rinj të cilët mund të jenë rezultativ në vitet e afërme. Dhe ngjarjet e fundit e tregojnë qartas këtë, kur njerëzit janë të zhgënjyer nga qeverisja e Ramës, por këtë të fundit më shumë se numrat, e mban në pushtet mosbesimi i njerëzve tek opozita.

Përkujtimi i Sokol Olldashit më shumë se vaj shokësh e miqsh, është dëshpërim për mungesën në horizont të një personaliteti të ri, që ti japë shpresë së djathtës për lidership të ri dhe kështu ta lënë të ndjerin që ta përkujtojnë ata që e kishin njeri të tyre dhe mik real./dritare.net/

EMISIONET