Përgatitje intensive para Islandës, Reja projekton formacionin e kuqezinjve

Përgatitje intensive para Islandës, Reja projekton formacionin e

Ekipi kombëtar vazhdon me përgatitjet për takimin e 8 qershorit kundër Islandës. Kuqezinjtë po stërviten intensivisht për këtë takim, teksa kanë udhëtuar drejt Frankfurtit për të marrë ngarkesën e duhur.

Trajneri, Edi Reja po ideon formacionin dhe ka studiuar disa alternativa, por moduli që bind më tepër italianin është 3-5-2. Përballë është një kundërshtar shumë fizik dhe italiani do i besojë futbollistëve që kanë gjendjen më të mirë. Gjatë përgatitjeve, Reja është fokusuar te gërshetimi i elementëve taktik, me përshtatjen e tyre në skemat e lojës. Në kampin kuqezi është kthyer dëshira dhe entuziasmi pas një momenti delikat.

Të gjithë futbollistët ndihen të çliruar dhe po japin maksimumin në stërvitje, për t'i bërë përshtypje edhe italianit. 73 vjeçari ka krijuar idenë e tij për formacionin edhe pse ka disa dilema. Në mungesë të Strakoshës, në portë do të jetë Etrit Berisha. Mbrojtja me 3 do të përbëhet nga Veseli, Ismajli dhe Dermaku.

Para tyre do të vendoset Xhaka, i cili së bashku me Aliji, Hysaj, Ramadani dhe Ndoji do të përbëjnë mesfushën. Cikalleshi duket se është ai që ka fituar balotazhin me Armando Sadikun, ndërsa në krah të tij do të vendoset Myrto Uzuni. Takimi mes Islandës dhe Shqipërisë do të zhvillohet më 8 qershor, duke nisur nga ora 15:00.

EMISIONET