Mashtrimi 3.7 mln euro me kreditë fiktive, drejtoresha pranon skemën: Isha në delir

“Po e pranoj që kam krijuar një skemë mashtrimi po isha në delir, çdo të ardhur e kam depozituar në fondacion”. 

Ky ka qenë arsyetimi që ka përdorur ne gjykatë drejtoresha e filialit të Fondacionit "Besa", Albana Imami e cila është lëne në masën "arrest me burg" me akuzën e mashtrimit dhe të krijimit te skemave piramidale.

Ndërsa të arrestuarit e tjerë kanë fajësuar drejtoreshën Imami se i ka detyruar të firmosnin kredi fiktive.

Një nga oficeret e kredisë Matilda Domi deklaroi në gjykatë se nga portofoli i saj me 150 kredi kishte firmosur kredi fiktive 35 deri në 40 me urdhër të drejtoreshës.

Të njëjtën gjë ka pohuar edhe kolegu i saj Mihal Hanxhari. Ai tha se kishte kuptuar skemën dhe kjo kishte qenë arsyeja që kishte kërkuar dorëheqjen tre muaj më parë.

Akuza ndaj drejtoreshës ka adresuar edhe e arrestuara tjetër Orkida Driza, që sipas prokurorisë akuzohet si seksere. Ajo tha se është përdorur dhe për kredi dhe aty ka çuar edhe fëmijët e saj dhe shuma që kishte përfituar nga çdo kredi është 20 mijë lekë të vjetra për secilin.

Në përfundim gjykata vendosi masën “arrest me burg” për:

-Drejtoreshën Albana Imami

-Oficeret e kredisë Mihal Hanxhari Blertina Kanani 

-Sekseren Orkida Driza 

Ndërsa dha masat “arrest shtëpie” për dy oficeret e kredisë Matilda Domi dhe Esmeralda Vaso, kjo e fundit pasi ka një fëmijë të mitur. 

Në skemën e mashtrimit 800 qytetarë - Sipas prokurorisë në skemë janë përfshirë mbi 800 qytetarë të cilëve u janë përdorur identitetet në skemën mashtruese me kreditë fiktive.

Nga hetimet e nisura një vit më parë ka rezultuar se në krye të skemës ishte drejtoresha e filialit tek Pazari i Ri, Albana Imami. Hetuesit dyshojnë se Imami merrte para me fajde për të mbuluar skemën mashtruese. 

Skema ishte krijuar prej 1 viti, ndërsa mungesa e parave është konstatuar 6 muajt e fundit në buxhetin e fondacionit. 

Si funksiononte skema - Klientët që kanë përfituar kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit. Ata paraqiteshin vetëm në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë. 

Këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, oficeret e kredisë dhe sekserët që siguronin klientët. Në përfundim të këtij procesi nga Drejtoresha e fondacionit "Besa" lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likujduar nga klienti.

Përfituan 3.7 milionë euro nga kreditë fiktive - Policia raportoi se punonjësit e Fondacionit Besa janë arrestuar pasi akuzohen se përfituan 3.7 milionë euro nga kreditë fiktive të dhëna.

Hetimet kanë nisur pas kallëzimit nga drejtuesit e një fondacionit të cilët akuzuan një pjesë të stafit se kanë dhënë kredi fiktive, me qëllim përfitimin, si dhe kanë marrë me interesa shumë të mëdha valutë nga persona të ndryshëm.

Shuma e kredive që janë dhënë nga ky staf deri tani ka shkuar në vlerën e 2 milion eurove dhe me përditësimin e saj shkon në rritje.

Nga drejtorja e degës së Fondacionit "Besa", Albana Imami, që administronte disa filiale të Fondacionit në njësinë numër 4 në kryeqytet, dyshohet se janë marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi që kap vlerën deri në 1.7 milion euro.

Në foto; Filiali ku punonte drejtoresha Albana Imami

EMISIONET