Pendohet djali vrasës, kërkon leje të shkojë në varrimin e të atit

Pas dhënies së deklarimeve kontradiktore në lidhje me krimin e rëndë 28-vjeçari, Selman Alija, ka shprehur pendesë që vrau babain me çekiç në kokë dhe ka kërkuar leje për të marrë pjesë në varrimin e tij. Ai pritet të dalë para gjykatës ku prokuroria ka kërkuar arrest me burg deri në fund të hetimeve.


Ky njoftim i publikuar në rrjetet sociale për dasmën e djalit më 14 janar 2018, kishte qenë shkaku i debatit që solli vrasjen me çekiç në kokë të 74-vjeçarit, Fejzi Aliaj.

Kështu pretendoi fillimisht në polici 28-vjeçari Selman Alija, i akuzuar për ekzekutimin makabër të të atit dhe hedhjen e trupit të pa jetë në liqenin e Farkës.

I riu u tha hetuesve se babai kishte lajmëruar datën e dasmës pa rënë dakord me të dhe se debati mes tyre filloi pikërisht për këtë fakt.

Por ky version i dhënë fillimisht nga autori i krimit të rëndë në familje ndryshoi më vonë.

Selman Alija u pyet përsëri nga hetuesit për shkak të deklarimeve kontradiktore që kishte dhënë dhe tha se ishte i penduar thellë që kishte vrarë babain.

Ai madje kërkoi leje që të merrte pjesë ne varrimin e të atit, i cili është përcjellë në banesën e fundit ditën e dielë në vendlindjen e tij në Kukës.

Komshinjtë e familjes Alija pranë banesës ku ndodhi vrasja shprehen të habitur me ngjarjen e rëndë ndërsa thonë se nuk kishin dëgjuar asnjëherë më parë debate.

"Kam 20 vite që kam ardhur këtu dhe i kam parë me gjithë djalin duke punuar, 2-3 ditë duke punuar. Mirë kanë qenë, as nuk kam dëgjuar shamatë, asgjë".

Selman Alija pritet të dalë të martën në gjykatë me akuzën e vrasjes në rrethana familjare për të cilën kodi penal parashikon dënim të ashpër.

Prokuroria ka kërkuar ndaj 28-vjeçarit caktimin e masës së sigurisë arrest me burg deri në përfundim të hetimeve.

Krimi në familje ndodhi të premten kur vëllai i vrasësit konstatoi shenja gjaku në oborrin e banesës ndërsa babai ishte zhdukur pa gjurmë.

Policia e cila u njoftua për këto fakte filloi hetimet dhe zbuloi të shtunën në orët e para të mëngjesit kufomën e Fejzi Aliajt të hedhur nga i biri në liqenin e Farkës.



EMISIONET