Peleshi nxit agroturizmin: Kemi ulur TVSH 6% dhe tatim fitimin në 5%

Peleshi nxit agroturizmin:  Kemi ulur TVSH 6% dhe tatim fitimin në 5%

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural,  Niko Peleshi, u ka sugjeruar fermerëve të përqëndrojnë investimet e tyre në agroturizëm.

Gjatë një takimi të zhvilluar në fshatinVreshtas, në qarkun e Korçës, Peleshi ka nënvizuar se tashmë qeveria ka miratuar edhe lehtësira fiskale në këtë fushë.

Peleshi: Para dy ditësh kemi miratuar, në mbledhjen e qeverisë disa lehtësi fiskale shumë të mëdha. Agroturizmi tani trajtohet si një hotel me 5 yje, në kuptimin e lehtësirave fiskale. TVSH-ja u bë nga 20 % në 6 %. Ajo taksa e tatim-fitimin u bë nga 15 % që e ka një ndërmarrje normale, u bë 5 %. 

Edhe taksa që paguhet për një ndërtim të ri, taksa që paguhet në Bashki, taksa e ndikimit në infrastrukturë që quhet, u bë zero. Le ta rindërtojmë së bashku besimin, që përmes bujqësisë dhe disa aktiviteteve të tjera plotësuese në fshat, mund ta bëjmë realitet atë që e kanë thënë pa përjashtim në 27 vjet të gjithë politikanët.

Peleshi ka premtuar gjithashtu mbështetje për prodhimet tipike të zonave.

Peleshi: Nuk ka fshat, që të mos ketë prodhime tipike, prodhime tradicionale, sidomos në zonën tonë, por dhe në shumë zona të Shqipërisë. Shqipëria është shumë e larmishme, në gastronomi, në kulinari. Ne kemi petkat, kemi dromkat, kemi rakinë e fshatrave, kemi reçelërat, kemi lloj-lloj produktesh, të cilat shiten si shiten. Shiten me çmim shumë të ulët, nuk i nxjerr dot në treg, sepse nuk janë të formalizura. 

Shiten me një ambalazh shumë të keq, shumë të shëmtuar, gjë që bën që çmimi të jetë shumë i ulët. Sikur ne t’i mbështesim fshat pas fshati, këto lloji aktivitetesh, gratë e fshatit prodhojnë një gjë, për të cilin dallohet një fshat i caktuar, t’i mbështesim me punishte të vogla, ku produktet janë në standarde më të mira higjenike, të mbështesim ambalazhimin, t’ i mbështesim t’i nxjerrin në treg, t’i shesin nëpër dyqane, duke formalizuar pikërisht këtë rrugë, por pa paguar taksa, siç paguan industria, sigurojmë një të ardhur të shtuar në fshat.

Ministri tha se në këtë formë rritetet zhvillimi ekonomik por po ashtu dhe numri i të punësuarve.

EMISIONET