Partia Demokratike thotë se procesi i vetingut është ndërprerë sepse 534 drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë verifikuar se i kanë shërbyer Sigurimit të Shtetit si oficerë, spiunë apo të dyja bashkë.

Përmes një deklarate për shtyp nga selia e PD-së, Gent Strazimiri thotë se skandali po mbahet i fshehur nga Ministri  Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

"Një nga kriteret për vlerësimin e figurës së çdo punonjësi të Policisë apo Gardës lidhet me të shkuarën e tij në raport me Sigurimin e Shtetit, të cilën janë të detyruar ta deklarojnë në një formular të veçantë. Nga verifikimi i formularëve, Autoriteti i Dosjeve ka gjetur se kupola e lartë e Policisë së Shtetit përbëhet nga individë kryekëput të lidhur me organizatën më gjakatare të vendeve komuniste, Sigurimin e Shtetit. Skandali po mbahet i fshehtë nga Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, një ish hetues i regjimit të diktaturës, por gjurmët e skandalit janë lënë në zyrat e Autoritetit të Dosjeve.

Sipas PD-së "verifikimi është ndërprerë, pas një takimi mes Kryetares së Autoritetit të Dosjeve, Gentjana Sula dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, i cili është informuar zyrtarisht për 534 drejtuesit e rangut të lartë të Policisë së Shtetit, pjesë e Sigurimit të Shtetit."

Strazimiri kujtonr se situatën alarmante të rikthimit të Sigurimit të Shtetit në drejtimin e Policisë së Shtetit e ka bërë publike  që në vitin 2014 dhe i bën thirrje kryetares së Autoriteti për Informimin e Dokumentave të Ish-Sigurimit të Shtetit" të bëjë publike listën e bashkëpunëtorëve.

"Statistikat konfirmojnë se rikthimi më detyrë i funksionarëve të Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorëve të tij në nivele drejtuese është më i lartë se në vitin 1997. Pavarësisht se i krijuar nga partia e Sigurimit të Shtetit, "Autoriteti për Informimin e Dokumentave të Ish-Sigurimit të Shtetit" ka detyrimin ligjor të publikojë informacionin mbi praktikën në fjalë dhe jo ta fshehë atë! Partia Demokratike i kërkon Gentjana Sulës të mos bëhet vegël e Sigurimit të Shtetit, por të bëjë publike pa vonesë listën me 534 drejtuesit e lartë të Policisë, të lidhur me Sigurimin e Shtetit.


/Ora News.tv/