PD vendos të çojë anëtarët e saj në Komisionet e Administrimit të Zgjedhjeve

PD vendos të çojë anëtarët e saj në Komisionet e

Edhe  pse nuk është regjistruar  dhe ka garantuar se nuk do të lejojë zgjedhje në 30 qershor, Partia Demokratike ka vendosur të çojë anëtarët e saj në komisionet e administrimit të zgjedhjeve.

Të gjitha degët e selisë blu janë urdhëruar të punojnë dhe të përzgjedhin emrat që do të përfaqësojnë opozitën në komisionet zonale të administrimit zgjedhor në gjysmën e të cilave PD-ja ka shumicën.

Dy muaj më parë PD dhe aleatët  refuzuan dhe  shkelen afatet kushtetuese për të dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve emrat e anëtareve të KZAZ-ve, duke dhënë shenjën e parë të bojkotit votimeve.

Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se ky hap, nuk e ndryshon vendimin e opozitës për  të bojkotuar procesin zgjedhore te 30 qershorit.

Partia Demokratike, pretendon se anëtaret e KZAZ që janë të PS, janë duke kryer shkelje të rënda ligjore, deri në regjistrim të paligjshëm kandidatësh apo falsifikim të dokumenteve, dhe dërgimi i anëtarëve të saj ka për qëllim dokumentimin e këtyre shkeljeve. Madje në një deklaratë për mediat Gazmend Bardhi shprehet se vendimi ka ardhur pas konstatimit se janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie.

 “Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI, mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në KZAZ për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë”, shprehet Bardhi.

EMISIONET