Partia Demokratike publikoi sot një audiopërgjim ku pretendohet se Agron Xhafaj vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj bisedon dhe bën pazar me një person të implikuar në trafikun e lëndëve narkotike.

Selia blu nuk bën të ditur KUR është realizuar përgjimi por thotë se personi X është bashkëpunëtor i drejtësisë dhe pretendon se pretendon se Agron Xhafaj po bisedon për trafik droge.

Ata takohen në një lokal që në Vlorë njihet si lokali i vëllait të ministrit.

Në një konferencë të jashtëzakonshme nga selia blu, PD publikoi përgjimin audio

Bëhet fjalë për dy përgjime audio:  

I pari: Bisede telefonike ne makine, sipas PD, mes Agron Xhafajt dhe një bashkëpunëtori X, që sipas PD-se. është trafikant droge i cili ishte dënuar në Itali dhe pasi kishte kryer dënimin ishte kthyer në Shqipëri. Në video shkruhet se bashkëpunëtori la takim me Agron Xhafën në Vlorë, nëpërmjet nr të telefonit 0672014472.

Kemi të bëjmë vetëm me zërin e bashkëpunëtorit X ndërsa bashkëbiseduesit të  dytë (qe PD pretendon se eshte Agron Xhafaj)  nuk i dëgjohet zëri. 

I dyti: Përgjimi i dytë ndodh në një lokal që PD thotë se është i Agron Xhafës. Biseda pretendohet se zhvillohet mes Agron Xhafës dhe bashkëpunëtorit. Biseda dëgjohet e të dyve.

Gjatë bisedës mes tyre bashkëpunëtori X i thotë: "Agronit se erdha për atë bisedën që të mora në telefon. Erdha për të bërë atë rrugën"

"Këta plehrat po na sulmojnë shumë ore.  Shiko edhe vëllanë, shumë fare po na sulmojnë. Ata në Itali janë zbërthyer komplet ore. Të jetë hera e parë dhe e fundit" i thotë Agroni teksa e adreson tek një person me emrin Ermal.



Deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji thonë se edhe pse Agron Xhafaj është i dënuar me 7 vjet burg vijon trafikun e drogës dhe mbrohet nga vëllai i tij ministër.

Ervin Salianji: Agron Xhafaj është bos i drogës në Shqipëri, por i pa prekshëm përsa kohë është vëllai i Ministrit të Brendshëm. Fatmir Xhafaj është mbrojtja e Agron Xhafajt. Fatmir Xhafaj i siguron vëllait trafikant droge mbështetjen e Policisë së Shtetit. Ky është realiteti i qeverisjes së Edi Ramës: Ministrat e tij të brendshëm mbështesin dhe lehtësojnë trafikun e drogës. Pushteti i Edi Ramës e ka lidhur fatin e vet me atë të krimit të organizuar."Agron Xhafaj është bosi i drogës në Shqipëri por është i paprekshëm.


Tre shkeljet e Ministrit Xhafaj

Deputeti,  Enkelejd Alibeaj, akuzoi Ministrin e  Brendshëm Fatmir Xhafaj se ka shfrytëzuar postin publik dhe pushtetin politik për ti siguruar paprekshmërinë nga ligji vëllait të tij të dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge me 7 vjet e dy muaj burg.

Ai renditi tre fakte të rëndësishme sesi Fatmir Xhafaj në detyrën e Ministrit e Brendshëm shkeli ligjin sipas tij, duke penguar çdo veprim për ekstradimin e  të vëllait.

1-Agron Xhafaj nuk e vuan dënimin, nuk bën asnjë ditë burg sepse Fatmir Xhafaj nuk përmbush përgjegjësitë ligjore të Ministrit të Brendshëm si të verifikojë dhe identifikojë identitetin e ri të Agron Xhafaj.Të njoftojë autoritetet italiane për vendodhjen e tij, ta arrestojë dhe ta burgosë atë.
2- Fatmir Xhafaj nga pozicioni si kryetar i komisionit të ligjeve fallsifikoi dokumentet zyrtare për të pamundësuar me ligj ekstradimin e vëllait të tij, Agron Xhafaj.Fallsifikimi pamundësoi edhe vuajtjen e dënimit në Shqipëri të Agron Xhafaj i dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik ndërkombëtar droge.Kështu nuk bën asnjë ditë burg.
3- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk zbaton ligjin antimafia dhe pengon që ligji të veprojë ndaj tij dhe Agron Xhafaj. Aktiviteti kriminal i trafikut të drogës që ka kryer vëllai i Ministrit të Brendshëm e bën automatikisht atë subjekt të ligjit, vetë Ministrin Fatmir Xhafaj.



ZBARDHJE E VIDEOS SE TRANSMETUAR NE KONFERENCE, NE SELINE E PD


Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, organizon trafikun e drogës në qytetin e Vlorës.

Ky është një material audio që provon sesi  vëllai i Ministrit të Brendshëm lidh Bashkëpunëtorin X me trafikantët e  kanabisit, të cilët janë nën urdhrat e Agron Xhafajt.

Organet ligjzbatuese kanë dijeni për  aktivitetin criminal të Agron Xhafajt si drejtues i një organizate  kriminale që kontrollon trafikun e drogës.

Në të kaluarën, bashkëpunëtori X dhe Agron  Xhafaj kanë punuar së bashku në trafikun e drogës, por kur  bashkëpunëtori X u dënua me burg në Itali, Agron Xhafaj, nuk u interesua  kurrë për të. Takimi mes tyre zhvillohet pasi bashkëpunëtori  X ka dalë nga burgu, ka ardhur në Shqipëri dhe i kërkon ndihmë Agron  Xhafajt t’i gjëjë ngarkesë me kanabis dhe ta punësojë si skafist për të  bërë një rrugë Italie, sepse ka mbetur pa para.

Bashkëpunëtori X la takim me Agron Xhafajn  në Vlorë nëpërmjet numrit të telefonit 0672014472, i konfirmuar se i  përket vëllait të Ministrit të Brendshëm. Biseda është përgjim ambiental  dhe dëgjohet vetëm bashkëpunëtori X që po  flet në telefon me Agronin. Me Bashkëpunëtorin X janë në makinë edhe dy  persona të tjerë, pjesëmarrës në operacion.  

Nis biseda telefonike në makinë mes Bashkëpunëtorit X dhe Agron Xhafajt.

Bashkëpunëtori X - O pasha ça bën mo, si dukesh?

Agroni – 

Bashkëpunëtori X - Mirë vëlla. Ti vetë? 

Agroni- 

Bashkëpunëtori X - Isha andej nga Toto qorri. Do të të merrja në telefon të të ftoja për drekë, por më thanë që ishe larg. Dëgjon vëlla?

Agron Xhafaj e pret bashkëpunëtorin X në një lokal që, në Vlorë njihet si lokali i vëllait të Ministrit të Brendshëm.

Bashkëpunëtori X - Ça bëre? Si ke qenë nga shtëpia ti?

Agron- Mirë o mirë, ti mirë? 

Bashkëpunëtori X - Mirë. 

Agron - Mirë keni qenë? Ça bëre ndonjë gjë?

Bashkëpunëtori X - Mirë

Agroni- Si ia kalove? Ça bëre ndonjë gjë të re?

Bashkëpunëtori X - Mirë vëlla mirë. Dëgjo, se për atë muhabetin që të mora në telefon, po puna është që…

Agroni- Një herë më ke marrë mua në telefon ti. Ndonjë gjë tjetër ça ke bërë?

Bashkëpunëtori X - Hiç, ja erdha për atë që të thash, për të bërë rrugën

Agroni- Dëgjo tani, ti e kupton si janë gjërat. Këta plehrat po na sulmojnë shumë ore.

Agroni- Përmend një fjali me 5-6 fjalë, por nuk kuptohet mirë. 

Agroni- Do të të çoj unë te Ermali ore, është shumë im i ngushtë.

Bashkëpunëtori X - Të faleminderit shumë. Se erdha ngaqë jam keq vlla, se nuk erdha nga e mira. 

Agroni- Dëgjo, hera e parë dhe e fundit dhe mos na  bjer më në qafë. Se po na sulmojnë shumë ore. Shiko edhe vëllanë (Fatmir  Xhafaj). Shumë fare po na e sulmojnë.  Të jetë hera e parë dhe e  fundit.

Bashkëpunëtori X - E mirë vlla mirë. 

Agroni- Mirë pra, ndonjë gjë tjetër çar ke bërë? 

Bashkëpunëtori X - Hiç asgjë. 

Agroni-  Na kanë nxjerrë emrin. Mos më bjer më në qafë, aman të keqen! Ata të tjerët në Itali, e shikon (thote 2-3 fjalë që nuk kuptohen, sepse fjalin njëkohësisht meBashkëpunëtorin X). 

Bashkëpunëtori X - Mirë vëlla mirë, (thotë 2-3 fjalë që nuk kuptohen)Ne duke pirë kafe jemi, s’e vrasim mendjen. 

Agroni- Ndonjë gjë tjetër nga shpia?

Bashkëpunëtori X - Mirë të gjithë. Ti vetë?

Agroni- Mirë, mirë

Bashkëpunëtori X - Mirë o vlla rrofsh, faleminderit.  

Agroni- Po na sulmojnë ata, keq fare. 

Bashkëpunëtori X – Mirë, mirë. 

Agroni- Kalofsh mirë.

Bashkëpunëtori X - Falemiderit njëherë për të gjitha. S’të nxjerr asnjë problem. Rrofsh edhe për kafen.

Agroni- Aman o të keqen vllai, hera e parë dhe e fundit, mos më bjer më në qafë.

Bashkëpunëtori X - Po ik o se s’të bije më në qafë, po kisha një problem se kam një hall edhe unë. Ta bëra si vëlla.

Agroni- Po gjërat nuk e shikon si janë? 

Bashkëpunëtori X - Se e njohim njëri – tjetrin. 

Agron - Ata në Itali janë zbërthyer komplet ore. 

Bashkëpunëtori X - Mirë o mirë, hajde rrofsh. Flas unë me Ermalin. Pa merak.

Agroni- Te Ermali vëlla. 

Bashkëpunëtori X ndoqi rrugën e treguar  nga Agron Xhafaj, bleu kanabisin tek trafikantët nën urdhërat e vëllait  të Ministrit të Brendshëm, i qetë dhe pa ndjekjen e policisë. 




/Ora News.tv/