Partia Demokratike protestoi për rreth një orë para ministrisë së Brendshme, duke kërkuar largimin e Famtir Xhafajt, pas audio përgjimit ku pretendohet se vëllai i tij bën pazare droge.

Protestuesit qëlluan me vezë drejt Minsitrisë së Brendshme.

Deputetë demokratë, nuk folën në protestë por Edi Paloka në një prononcim për mediat, iu përgjigj kryeministrit Edi Rama.

Paloka: E pamë këtë shfaqje me Tahirin, kur Rama pothuajse me të njëjtat fjalë i doli në mbrojtje ministrit të tij, pupilit të tij. Merr në mbrojtje veten dhe asgjë më tepër. E kuptoni se çfarë ndodh në këtë vend. Një njeri që duhet të ishte arrestuar prej kohësh, deklaron se po shkon në Itali vetë, dhe pse sepse ky është shteti i Edi Ramës. 

I pytur nëqoftëse Partia Demokratike ka fakte të tjera, Paloka  dha këtë përgjigje.

Paloka: Ju thashë kjo histori sapo ka filluar dhe Rama do të pendohet për deklaratat që bëri sot.

Të rinjtë kishin peshën e protestës, ndërsa theksuan se nuk do të ndalen deri sa Xhafaj të largohet.

Këlliçi: Qytetarët do të vijojnë të protestojnë kundër një qeverie që ka hasur jo vetëm Shqipëria, por pa dyshim edhe Europa.

Në proteste edhe Stresi e Sali Lusha

Edhe reperi i njohur Stresi dhe babai i tij, Sali Lusha i janë bashkuar opozitës në protestë e cila filloi me të shtyra dhe tension për disa minuta por më pas protesta vijoi qetësisht. 

"Protesta parashikohet të zgjasë për dy orë. Nuk do të ketë fjalime politike. Kryesisht janë të rinjtë të FRPD-së që thërrasin me megafon dhe i bëjnë thirrje, Xhafajt të japë dorëheqjen.  Nuk ka masa ekstreme të policisë. Disa ekfetivë të policisë qëndrojnë në pjesën përpara ministrisë. Protesta është e qetë dhe nuk ka konfrontime" informoi gazetari i Ora News, Everest Dedaj.

Mes pankartave ka dhe aty ku shkruhet: Arresto vëllanë tënd!

Reperi shqiptar dhe Sali Lusha njihen si mbështetës të flaktë të PD-së. 













/Ora News.tv/