Duke i renditur të gjithë veprimet e Prokurorisë që i konsideron shkelje, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj u shpreh në një konferencë për mediat se Edi Rama ka krijuar një skenar për të mbrojtur Agron Xhafaj.

Alibeaj: Edi Rama e di të vërtetën për çështjen e Agron Xhafajt. E pranon edhe vetë. Prandaj anagazhoi të gjithë shtetin, nga Ministri i Brendshëm tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, nga Prokurori i Përgjithshëm tek Kryetari i Grupit Parlamentar, për të mbuluar të vërtetën dhe për të mbrojtur trafikantin e drogës Agron Xhafaj.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, duke u mbështetur në dokumentet që i bëri publike, tha se hetimin e Agron Xhafaj e ka bërë vëllai i tij Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Bardhi: Ne kemi bërë të ditur që ditën e parë se nuk mund të ketë hetim të pavarur mbi këtë çështje, sa kohë Ministër i Brendshëm është vëllai i trafikantit të drogës Agron Xhafaj, që është subjekt hetimi.Prokurorët vetëm kanë noterizuar çfarë i është dërguar nga vartësit e Fatmir Xhafës.

Sipas përfaqësuesve demokratë, Shqipëria prej kohësh ka hyrë në diktaturë mafioze ku krimi i organizuar pasi ka kapur për fyti qeverinë dhe parlamentin, tashmë zyrtarisht ka nën kontroll edhe drejtësinë.


/Ora News.tv/